Lajme

Mbi 530 njerëz janë vrarë nga bandat në Haiti, vetëm këtë vit


Bilanc tmerrues është ai i bërë nga Kombet e Bashkuara në Haiti, ku vetëm në tre muajt e parë të vitit 2023, kanë mbetur të vrarë mbi 530 persona, për shkak të dhunës nga bandat kriminale në ishullin e Karaibeve.

Shumica prej tyre, në mënyrë krejtësisht çnjerëzore, janë vrarë duke u marrë nga larg në shënjestër me snajper dhe duke u “përzgjedhur” rastësisht si viktima.

Ky ka qenë një shqetësim shumë i lartë për gjithë vendet pjesëmarrëse në Kombet e Bashkuara, pasi dhuna në Haiti nuk po njeh më asnjë kufi dhe është jashtë çdo perceptimi të mundshëm njerëzor.

“Përleshjet mes bandave po bëhen më të forta dhe të dhunshme dita ditës, teksa ato po mundohen të zgjerojnë territorin e tyre dhe të vendosin hegjemoninë në kryeqytet”, tha Marta Hurtado, zëdhënëse për shtyp e OKB-së lidhur me çështjen.

Shifrat e publikuara, janë sa i takon periudhës deri në 15 mars 2023.

Nga fillimi i vitit deri në këtë çast, 531 persona janë vrarë, 300 janë plagosur dhe 277 të tjerë janë rrëmbyer, me shumicën e rasteve të ndodhura në Port-au-Prince.

Vetëm dy javët e para të marsit, 208 persona u qëlluan për vdekje.

Shumica e viktimave, siç është përkufizuar më herët, kanë qenë pre e shënjestrimit rastësor me snajper.

Të kursyer nuk kanë qenë as mësues nëpër shkolla, apo vetë nxënësit, të cilët shpesh herë janë qëlluar me breshëri plumbash, pa pasur asnjë mbrojtje.

Ndërsa, bilanc i rëndë është edhe ai i personave, të cilët janë zhvendosur nga vendbanimet e tyre, me 160 mijë njerëz, të cilët e kanë marrë këtë hap.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore