Lajme

Mbi 12 mijë raste aktive me COVID-19 – Nga sot masat e reja në fuqi


Ilustrim

Ka shkuar në 12 mijë e 396 numri i rasteve aktive me COVID-19 në Republikën e Kosovës, si pasojë e rritjes së madhe të të infektuarve javën e fundit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë(MSH), gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar 2 mijë e 943 raste të reja, nga testimi i 11 mijë e 563 të personave për COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit ka vdekur një person si pasojë e virusit, kurse pozitiviteti i rasteve në 24 orët e fundit është 25,45%.

Për parandalimin e përhapjes së më tejme të virusit, Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja antiCovid, të cilat kanë hy në fuqi në orët e para ditës së sotshme (e shtune).

Këto masa do të jenë në fuqi deri më 4 shkurt 2022, kur pritet të merret një vendim i ri rreth masave.

Ora policore është zhvendosur nga ora 24:00 për në ora 22:00, e cila do të zgjatë deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Lokalet e gastronomisë do të mbyllen në ora 21:00, ndërsa muzika do të lejohet vetëm deri në orën 20:30.

Mësimi nëpër shkolla do të vazhdojë të mbahet me prezencë fizike, por sipas paraqitjes së rasteve mund të kalohet në skenarë të tjera, si ajo “online”.

Gjithashtu, secili person që hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit me tre doza apo testin negativ të Covid-19 i bërë 48 orë para nisjes apo mbërritjes në pikën kufitare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore