Lajme

Mbi 100 ankesa të kompanive u refuzuan për shkak të mungesës së bordit të OSHP-së


Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere

Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere është bërë e ditur se në kohën sa Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), ka qenë pa bord ky institucion ka pranuar gjithsej 820 ankesa.

Të dhënat i ka bërë të ditura kryetarja e OSHP-së Vjosa Gradinaj, ka paraqitur statistikat e ankesave dhe vendimeve që kanë marr si institucion.

“Organi shqyrtues i Prokurimit gjatë vitit 2022 ka pranuar gjithsej 820 ankesa, prej të cilave 164 raste është vërtetuar vendimi i autoritetit kontraktues, 171 raste lëndët janë kthyer në rivlerësim, 52 raste është anuluar aktiviteti i prokurimit dhe janë lëshuar 3 urdhëresa dhe në 34 raste janë bërë përmirësim të dosjes së tenderit”.

“Ankesat e refuzuara si të palejuara janë gjithsej 57 ankesa, të refuzuara nga periudha kur Organi Shqyrtues i Prokurimit ka qenë pa Bord janë 176 ankesa, të pasafatshme 23 ankesa, të refuzuara si të parregullta 12 ankesa, tërheqja e ankesës është bërë në 11 raste, kurse pajtimi i palëve është bërë në 29 raste”, ka thënë ajo.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka pyetur lidhur me ankesat që janë refuzuar si pasojë e mosfunksionalizimit të Bordit të OSHP-së.

Sipas tij Qeveria dhe mazhoranca kanë dështuar për 14 muaj ta funksionalizojnë OSHP-në.

“Si rezultat i moszgjedhjes së bordit për 14 muaj, ne e dimë që 176 ankesa pothuajse janë jashtëafatshme për shqyrtim, dikush duhet të jap përgjegjësi për këtë çështje. Ne këtë element dua të pyes rolin e juaj si OSHP, si e keni marrë përgjegjësinë ju si OSHP me e konsiderua si jashtë të afatshme kur nuk ka qenë përgjegjësia e ankuesve, pasi ka qenë jofunksional vet Organi Shqyrtues i Prokurimit”.

“A jeni konsultuar edhe me gjykatat e tjera apo keni marrë vetëm për bazë kriterin e afatit kohor, e shoh të dëmshme atë të përmbajtjes për çdo vendim që është dërguar si i jashtëafatshëm”, ka thënë Lushtaku në Komision.

Kurse deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Armend Muja, e ka pyetur zyrtarin kryesor financiar në OSHP, Agim Sheqirin nëse ushtron edhe detyrën e ekspertit në OSHP.

“Ju keni raportuar që punoni si ekspert për institucione tjera, por në të njëjtën kohë a e keni cilësinë e ekspertit në OSHP”, ka qenë pyetja e Mujës.

Ai është përgjigjur duke thënë se, “nuk jam në regjistrin e ekspertëve. Por që nga viti 2012, jam autorizuar që të shqyrtojë dhe të vlerësojë ankesa në cilësi të ekspertëve brenda OSHP-së”.

Për shkak të mungesës së bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP), edhe 626 lëndë gjatë vitit 2021 dhe 192 gjatë vitit 2022 nuk kanë arritur të trajtohen.

Nga dhjetori i vitit 2021, mbi 300 milionë euro kanë mbetur të bllokuara, për shkak se OSHP-ja ishte pa bord.

Situatë e njëjtë, kur OSHP kishte mbetur pa bord, kishte ndodhur edhe në vitin 2013.

Për shtatë muaj me radhë, nga muaji korrik 2013 deri në mars të vitit 2014, ishin grumbulluar ankesa dhe bordi i ri nuk i shqyrtoi për shkak të kalimit të afatit ligjor prej 34 ditësh për marrjen e vendimit.

OSHP-ja është organ i pavarur shqyrtues dhe ushtron autoritetin, kompetencat, funksionet dhe përgjegjësitë e përcaktuara në Ligjin e prokurimit publik. Brenda vitit janë rreth 700 milionë euro të buxhetit të Kosovës, të cilat shpenzohen përmes prokurimit publik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore