Lajme

OSHP-ja ende pa bord, bllokohen mbi 300 milionë euro


Ilustrim

Mbi 300 milionë euro janë të bllokuara si pasojë e mos funksionimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, pasi për këtë institucion Kuvendi i Kosovës ende nuk i ka emëruar anëtarët e bordit.

Qëndrim Arifi, hulumtues i lartë nga Iniciativa për Progres, ka thënë për Albanian Post se për këtë fajtore është politika pasi sipas tij, “Kuvendi dhe Qeveria në vazhdimësi kanë injoruar zgjedhjen e tyre si pasojë e interesave që në këtë bord të sjellin njerëz politikë dhe jo profesionist”.

Madje Arifi thekson se të gjeturat e hulumtimit të INPO-së tregojnë se “27 komuna kanë aktivitete të bllokuara në organin shqyrtues të prokurimit”.

Qëndrim Arifi

Ndërkaq sipas Agon Hysajt, hulumtues në Institutin Demokratike të Kosovës, vonesa e krijimit të bordit të OShP-së shkakton probleme të mëdha pasi investimet kapitale e mallrat e shërbimet mbesin të bllokuara si rezultat i ankesave”.

“Tani më që procesi është kthyer në pikën zero, Qeveria duhet ta marrë shumë seriozisht këtë problem dhe të dërgojë sa më parë emrat e rinj në Kuvend”, pati thënë Hysaj për AP.

Edhe Albert Krasniqi nga Demokracia Plus mos zgjedhjen e anëtarëve të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, e kishte konsideruar si dështimin më të madh për këtë vit të Kuvendit të Kosovës.

“OSHP është jofunksionale prej muajit mars, pasi anëtarëve u ka skaduar mandati. Prej asaj periudhe, asnjë tender publik për të cilin ka pasur ankesa nuk ka mundur të ekzekutohet. Rreth 350 milionë euro janë bllokuar të hyjnë në ekonominë e vendit. Në anën tjetër, është rritur numri i kontratave të negociuara, pasi mundësitë e ankesës janë shumë më të vogla”, potencoi Krasniqi.

Albert Krasniqi

Ndërkaq më 9 mars të këtij viti, Qeveria e Kosovës i ka propozuar Kuvendit të Kosovës kandidatët për kryetarë dhe anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tregoi se komisioni vlerësues ishte i pakënaqur me kandidatët që kanë aplikuar për OSHP, rrjedhimisht, sipas tij kanë përdorur diskrecionin e përzgjedhjes së kandidatëve.

“Komisioni ishte tepër i pakënaqur me kandidatë që kanë aplikuar, qoftë në kuptim të përvojës profesionale dhe profesionalizmit në përgatitjen e kandidaturës. Në këtë kuptim komisioni i ka rekomanduar qeverisë të përdorë diskrecion në përzgjedhjen e kandidatëve sipas të drejtës që i takon në bazë të Ligjit për Prokurimin Publik”, theksoi Kurti.

Kandidatët e votuar nga ekzekutivi për bordin e OShP-së, janë: Nita Bejta, Milot Spahiu, Arbnor Tmava, Vedat Peterqoj, Faruk Rexhaj, Bujar Lushaku, Batisha Ibrahimi, Dafina Gashi, Vjosa Menxhuani dhe Kimete Gashi.

OSHP-ja është organ i pavarur shqyrtues dhe ushtron autoritetin, kompetencat, funksionet dhe përgjegjësitë e përcaktuara në Ligjin e prokurimit publik. Brenda vitit janë rreth 700 milionë euro të buxhetit të Kosovës, të cilat shpenzohen përmes prokurimit publik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore