Lajme

Mbi 800 lëndë të pazgjidhura nga OSHP-ja, shkaku i mungesës së Bordit


Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Për shkak të mungesës së bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP), 626 lëndë gjatë vitit 2021 dhe 192 gjatë vitit 2022 nuk kanë arritur të trajtohen.

Gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere kryetarja e OSHP-së, Vjosa Gradinaj-Mexhuani, përveç numrit të madh të lëndëve të pazgjidhura, ka thënë se kanë edhe mungesë të stafit dhe objektit.

“Nga një prilli i vitit 2021 e deri në qershor të këtij viti, Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk ka pasur bord dhe si rrjedhojë Bordi është përballur me një numër të konsiderueshëm të ankesave të lëndëve të grumbulluara e i cili vazhdon edhe tani”.

“Numri i lëndëve të pazgjidhura për këtë aktivitet të prokurimit kishte arritur shifrën e 626 lëndëve për vitin 2021 dhe 192 lëndë për vitin 2022 për mungesë vendimmarrje”, tha ajo.

Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka kërkuar të informohet nëse ka kontrata të nënshkruara.

“A ka kontrata të nënshkruara edhe nëse ka pasur ankesa”, pyeti Lekaj, ndërsa kryetarja e Bordit të OSHP-së ju përgjigj duke i thënë se “realisht kemi kontrata që janë nënshkruar, ndonëse kanë pasur ankesa”.

Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Kryetari i Komisionit, Armend Muja, për gjetjet e këtij Bordi, tha se raporti për vitin 2021 është marrë kopje nga viti 2021.

“Ky raport është një nga raportet më të varfëra që kemi pasur, të gjitha janë copy-paste nga viti 2020, dhe aty këtu ku ka pasur mundësi e keni plotësuar ndonjë të dhënë. Tjetra tek raporti i Auditorit keni gjetje të ripërsëritura nga viti 2020, siç janë faturat e papaguara”, tha Muja,

Ndërsa, sipas kryetares, arsyeja pse ka ndodhur kjo është se “ka ndodhur ndonjë gabim”.

Nga dhjetori i vitit 2021, mbi 300 milionë euro kanë mbetur të bllokuara, për shkak se OSHP-ja ishte pa bord.

Situatë e njëjtë, kur OSHP kishte mbetur pa bord, kishte ndodhur edhe në vitin 2013.

Për shtatë muaj me radhë, nga muaji korrik 2013 deri në mars të vitit 2014, ishin grumbulluar ankesa dhe bordi i ri nuk i shqyrtoi për shkak të kalimit të afatit ligjor prej 34 ditësh për marrjen e vendimit.

OSHP-ja është organ i pavarur shqyrtues dhe ushtron autoritetin, kompetencat, funksionet dhe përgjegjësitë e përcaktuara në Ligjin e prokurimit publik. Brenda vitit janë rreth 700 milionë euro të buxhetit të Kosovës, të cilat shpenzohen përmes prokurimit publik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore