Kosova

Mbërrin gazetarja e pestë afgane në Kosovë


Foto nga arritja e gazetares së pestë afgane në Kosovë.

Në Kosovë ka arritur gazetarja e pestë afgane, Nadia Gulabzada.

Lajmin e ka bërë të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Sipas njoftimit, ajo është pritur në aeroport nga bashkëkombësja e saj Amina Omid, kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kushtrim Nreci, dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

“Kolegët afganë janë strehuar në Kosovë në kuadër të programit ‘Journalists in Residence – Kosovo’, inicuar nga ECPMF, e që financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Në kuadër të këtij programi, përveç strehimit gazetarëve afganë u sigurohet pagë mujore, shërbime shëndetësore, si dhe biletë kthimi kur rrethanat do të krijohen që të njëjtit të kthehen në shtëpitë e tyre”, thuhet në njoftim.

Më 30 janar, në Kosovë janë strehuar katër gazetarët e parë afganë, një muaj pasi Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për t’iu ofruar strehim atyre.

Strehimin e tyre e kishte bërë të ditur AGK-ja në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë”.

Qeveria e Kosovës, më 28 dhjetor 2022 kishte miratuar buxhetin prej 30 mijë eurosh për strehimin e gazetarëve afganë.

Ekzekutivi kishte thënë se ata do të mund të qëndrojnë në shtet për dy vjet, duke thënë se do të ndajë edhe mjete shtesë për t’iu ofruar strehim, pagë mujore, sigurim shëndetësor dhe kushte të tjera gazetarëve afganë, derisa të krijohen kushtet që ata të kthehen në shtëpitë e tyre.

Pasi në gusht të vitit 2021, talibanët rimorën pushtetin, Kosova pranoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për strehimin e refugjatëve afganë, që ishin të rrezikuar nga talibanët.

Kosova ka strehuar përkohësisht rreth dy mijë refugjatë afganë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore