Lajme

Gazetarët afganë në Kosovë: Rreth 60 për qind e mediave janë mbyllur dhe gjendja është e rëndë


Foto: Radio Evropa e Lirë.

Katër gazetarët afganë që kanë mbërritur të hënën e 30 janarit në Kosovë në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo”, situatën në vendin e tyre e kanë vlerësuar si të rëndë.

Gjatë kësaj konference të organizuar nga AGK-ja, gazetarët afganë kanë deklaruar se 60 për qind e mediave janë mbyllur dhe gazetarët e kanë lëshuar shtetin.

Njëri nga gazetarët afgan i cili është strehuar në Kosovë, Ahmad Shaker, tha se Afganistanin e kanë lënë në gjendje të mjerueshme, “sidomos për gazetarët”.

“Mediat nuk janë të lira dhe në secilën është një përfaqësues taliban që e kontrollon. Rreth 60 për qind e mediave janë detyruar të mbyllen dhe gazetarët ta lëshojnë Afganstanin”, tha ai gjatë konferencës për media.

Ai theksoi se me ardhjen në pushtet të talibanëve në verën e vitit 2021, siguria për gazetarët ka përfunduar.

“Një pjesë kanë arritur të ikin në vendet perëndimore, por një pjesë kanë shkuar në Iran, Pakistan dhe vendet përreth dhe po jetojnë në kushte të pavolitshme”, tha ai.

Gjatë kësaj konferencë për media, të pranishëm ishin edhe tre kolegët e tij gazetarë të strehuar në Kosovë.

Gazetarja Amina Omid, kryeredaktore e një gazete në Afganistan u shpreh se është e “zakonshme të kërcënohen gazetarët që kanë shkruar kundër talibanëve”.

Ndërsa, theksoi se si kryeredaktore ka qenë e kërcënuar “dy herë më shumë”.

Kurse, gazetari Raifullah Nikzad, u shpreh se është i lumtur që është në Kosovë, por që vazhdon të jetë i shqetësuar që familja e tij ka mbetur në Kabul.

Më 30 janar, në Kosovë janë strehuar katër gazetarët e parë afganë, një muaj pasi Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për t’iu ofruar strehim atyre.

Strehimin e tyre e kishte bërë të ditur AGK-ja në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë”.

Qeveria e Kosovës, më 28 dhjetor 2022 kishte miratuar buxhetin prej 30 mijë eurosh për strehimin e gazetarëve afganë.

Ekzekutivi kishte thënë se ata do të mund të qëndrojnë në shtet për dy vjet, duke thënë se do të ndajë edhe mjete shtesë për t’iu ofruar strehim, pagë mujore, sigurim shëndetësor dhe kushte të tjera gazetarëve afganë, derisa të krijohen kushtet që ata të kthehen në shtëpitë e tyre.

Pasi në gusht të vitit 2021, talibanët rimorën pushtetin, Kosova pranoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për strehimin e refugjatëve afganë, që ishin të rrezikuar nga talibanët.

Kosova ka strehuar përkohësisht rreth dy mijë refugjatë afganë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore