Lajme

Masat ‘e reja’ antiterror të Bennett janë të vjetra dhe të parëndësishme


Kryeministri Naftali Bennett publikoi të enjten në llogarinë e tij në Twitter një sërë masash për të përballuar valën e sulmeve terroriste në Izrael.

E përditshmja izraelite “Haaretz” ka zbuluar se plani, titullohet “Hapat për të rivendosur sigurinë në rrugë”.

Nga njëra anë, disa nga hapat përbëhen nga masa të cilat tashmë janë zbatuar, nga ana tjetër, shumë prej tyre nuk janë efektive kundër valës aktuale të terrorit.

Aktivitet, i titulluar “Operacioni Safe-Lane”, vazhdon prej muajsh tashmë si pjesë e aksionit të qeverisë kundër krimit në komunitetin arab. Që nga fillimi i tij në tetor, policia ka kapur qindra armë zjarri dhe armë të paligjshme, duke përfshirë granata, pushkë, armë, armë të improvizuara dhe lëndë shpërthyese.

Policia thotë se numri i incidenteve të raportuara me të shtëna në komunitetin arab është ulur me 38 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Që nga përfundimi i luftës me Gaza-n majin e kaluar, policia dhe Ministria e Sigurisë Publike kanë kërkuar dyfishimin e numrit të kompanive rezervë të Policisë Kufitare nga 16 në 32, pasi nevoja për më shumë forca policore brenda territorit izraelit u bë e qartë. Por, deri më tani nuk ishte shtuar asnjë luftëtar rezervë.

Vetëm tani, pas serisë së fundit të sulmeve në Izrael dhe Bregun Perëndimor, kabineti pritet të miratojë shtimin e dhjetë detashmenteve të Policisë Kufitare. Programi do të kushtojë rreth 100 milionë sikla në vit dhe do të shtrihet në tre vitet e ardhshme. Kjo do të thotë se do të duhet kohë përpara se rritja e forcave të ndihet në terren.

Buxheti i shtetit për vitin 2022 miratoi rekrutimin e 1 mijë e 200 oficerëve të rinj të policisë, kështu që ky përforcim i fuqisë punëtore nuk është rezultat i valës së fundit të sulmeve terroriste.

Mes një mori sulmesh, Bennett u bën thirrje të gjithë izraelitëve që kanë patentë armësh që “tani është koha për ta mbajtur atë”.

Kabineti miratoi gjithashtu rekrutimin e 200 policëve të kufirit për t’u transferuar nga shërbimi i detyrueshëm në shërbimin e karrierës.

Ngritja e një grupi të posaçëm për motoçikleta. Ky është një plan ekzistues i iniciuar nga Komisioneri i Policisë Yaakov Shabtai rreth gjashtë muaj më parë. Një njësi policore speciale e motorizuar u caktua për të shërbyer si reagues i parë.

Dy nga këta oficerë të policisë patrulluese ishin të parët që arritën në vendin e sulmit në Bnei Brak. Polici Amir Khoury, i cili qëlloi për vdekje sulmuesin, u vra në shkëmbimin e zjarrit me të.

Policia thotë se për oficerët e njësisë speciale dhe patrullës janë blerë 237 motoçikleta.

Revokimi i lejeve të punës nga të afërmit e terroristëve. Izraeli tashmë ka hequr lejet e punës nga anëtarët e familjeve të terroristëve. Vendimi është marrë nga Shin Bet dhe sipas protokolleve, agjencia e sigurisë udhëzon Administratën Civile të revokojë ose të ndalojë hyrjen në Izrael të të afërmve të individëve të caktuar si terroristë. Anëtarëve të familjes së shkallës së parë u refuzohet automatikisht leja e punës.

Udhëzimi i ri synon të zgjerojë mohimin tek anëtarët e familjes së shkallës së dytë. Meqenëse familjet palestineze janë shpesh të mëdha, kjo rrit në mënyrë dramatike numrin e njerëzve, të cilëve leja e punës mund t’u refuzohet ose të hiqet. Megjithatë, familjeve të tëra apo edhe komuniteteve u është refuzuar leje më parë.

Haaretz ka raportuar raste në të cilat Izraeli u mohoi njerëzve lejet e punës vetëm sepse mbiemri i familjes së tyre ishte i njëjtë me atë të një terroristi.

Avancimi i një plani për të rindërtuar pengesën e ndarjes. Ministria e Mbrojtjes tha për Haaretz se kjo çështje është ende në shqyrtim. Një burim tha se përparësia e institucionit të mbrojtjes është të përfundojë gardhin në kufirin me Libanin.

Institucioni i mbrojtjes ka qenë i vetëdijshëm për thyerjet në barrierë prej vitesh dhe ka vlerësime të numrit të palestinezëve që kalojnë nëpër të rregullisht. Kontrollori i Shtetit Matanyahu Engelman tha se qeveria shpenzon rreth 140 milionë shekelë në vit për ruajtjen e barrierës.

Rritja e monitorimit të nxitjeve në rrjetet sociale. Sipas një burimi sigurie, udhëzimi është që të fokusohet në nxitjet që mund të çojnë në sulme të kopjuara, në vend që të kërkohen terroristë individualë, siç ishte rasti në valën e terrorit të vitit 2015.

Javën e kaluar është zbuluar një përshkallëzim i nxitjeve në internet, duke theksuar se shpërndarja e videoklipeve dhe lajmeve të rreme kanë një ndikim të rëndësishëm.

Një burim tjetër i njohur me këtë çështje i tha “Haaretz” se nxitja që shoqëronte ngjarjet e fundit nuk ka arritur nivelin e nxitjes së parë gjatë luftës së majit të kaluar me Hamasin në Gaza.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore