Shqipëria

Masakra zgjedhore, argumenti kuvendor i PD-së


Mbi 5 mijë demokratë nga mbarë Shqipëria, u bënë bashkë në Kuvendin e Partisë Demokratike (PD), të shtunën e 17 korrikut.

Ka qenë kreu i kësaj partie, i cili ka falënderuar të gjithë delegatët pjesëmarrës, në fjalën hyrëse të Kuvendit. Po ashtu, nuk ka harruar pa nderuar dhe viktimat që ranë gjatë luftës me armikun e padukshëm, asaj të pandemisë COVID-19, për të cilët demokratët mbajtën një minutë heshtje.

Gjatë punimeve të Kuvendit, Basha vuri theksin te lufta kundër kriminalizimit të politikës dhe krimit të organizuar. Ndërsa zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Basha i cilësoi si “masakër zgjedhore”, ku ndër të tjera nuk harroi pa e prekur dhe çështjen e patronazhistëve.

Si gjithnjë, Basha nuk i ka lënë pas dhe akuzat ndaj kryeministrit të Shqipërisë për të tretin mandat, Edi Rama, për të cilin tha se “me të në krye, Shqipëria renditet e para në Evropë për korrupsion”.

Analiza e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare

Kanë qenë të shumtë anëtarë partie që kanë shprehur mendimin e tyre në këtë Kuvend.

I pari ishte nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, i cili tha gjatë fjalës së tij se të fajësosh Lulzim Bashën për humbjen e zgjedhjeve është “si t’i shërbesh kundërshtarit”. Ku edhe deputetja e zgjedhur e PD-së, Albana Vokshi, foli në Kuvendin Kombëtar të PD-së për “masakrën zgjedhore”.

I po të njëjtës linjë me anëtarët e PD-së ishte dhe sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Gazment Bardhi. Gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar, Bardhi tha se rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit 2021, “ishte zhgënjyes”.

Ndërsa deputetja e zgjedhur e PD-së, Grida Duma, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvendin Kombëtar, solli si një film me metrazh të shkurtër, të gjitha rastet ku PD-ja ka reaguar ndaj “padrejtësive”.

Drejtuesi politik i PD-së në qarkun Lezhë, Mark Marku kërkoi në Kuvend që të bëhet një analizë e thelluar dhe të ndryshohet strategjia për faktin e humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit. Ndër të tjera, Marku kritikoi dhe organizimin e Kuvendit Kombëtar.

Ndërsa Flamur Noka, deputeti i zgjedhur i kësaj partie, analizoi rezultatin e zgjedhjeve në zonat që ai ishte drejtues politik.

Akuza ndaj qeverisë ka hedhur dhe deputeti i zgjedhur i PD-së, në Tiranë, Belind Këlliçi. Ai tha se “kryeministri shfrytëzoi fatkeqësitë që goditën vendin vetëm në funksion të zgjedhjeve të 25 prillit”.

Miratohet Komisioni i Punimeve

Pas fjalës së kryetarit të PD-së, Kuvendi Kombëtar i PD-së ka zgjedhur Komisionin e Miratimit të Punimeve, ku të gjithë delegatët miratuan propozimin e Bashës.

Në krye të Komisionit u zgjodh si më i votuari Jemin Gjana, ndërsa u votuan për anëtar Gazment Bardhi, Edi Paloka, Edmond Spaho dhe Albana Vokshi. Ndërsa Komisioni për Ankimimet do të përbëhet nga Lulzim Omuri, me kryetar, Marinela Ziu dhe anëtare Minushe Lazaj.

Ndërkohë vijon numërimi i votave për të zgjedhur 300 anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD nga 600 kandidatë të Kuvendin Kombëtar.

Prapaskenat e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të PD-së

Në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, është vënë re mungesa e një emri jo pak të njohur nga radhët e PD-së. Bëhet fjalë për ish-presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani.

Nishani një kontribuues i PD-së, njëkohësisht dhe kryetar i Këshillit Kombëtar nuk mori pjesë në mbledhjen e sotshme.

Që pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, Nishani u bë një kritik i hapur ndaj kryetarit të PD-së Lulzim Basha. Këtë të fundit ai e akuzoi si personin përgjegjës për humbjen e PD-së.

Ndërsa Agron Shehaj, kandidat për postin e kreut të PD-së, dhe deputet i zgjedhur për Qarkun e Tiranës, refuzoi të mbante fjalimin e parashikuar në Kuvendit Kombëtar të PD-së.

Gjthashtu Shehaj ishte dhe drejtuesi politik në Qarkun e Tiranës për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Kujtojmë se Shehaj doli i dyti më i votuar pas Lulzim Bashës në zgjedhjet e brendshme të PD-së.

Vijon procesi i numërimit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar

Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Partisë Demokratike, Jemin Gjana, mbrëmjen e 17 qershorit, ka bërë të ditur vijimësinë e procesit të numërimit për anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së.

Përmes një dalje publike, Gjana tha se numri i delegatëve të pranishëm në Kuvendin Kombëtar, ishte 7 mijë e 646 delegatë, ku vetëm 5 mijë e 703 prej tyre kanë votuar për Këshillin e ri Kombëtar.

‘Pas përpunimit të procesverbaleve të mbylljeve të kutive të votimit, kanë marrë pjesë në votim 5 mijë e 339 delegatë, pra gati 69.8% e numrit të delegatëve të Kuvendit Kombëtar”.

Ndërsa procesi i numërimit po vijon në të 14 komisionet, Gjana tha se “sonte pas mesnate do të nxirret lista përfundimtare me 300 emra”.

Sipas tij, minimalisht 90 prej anëtarëve do të jenë zonja dhe zonjusha, 45 prej tyre do të jenë nga forumi rinor i PD-së, ndërsa pjesa tjetër do të përbëhet nga djem dhe burra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore