Shqipëria

Marrëzisë që nuk i shihet fundi


Në zemër të kryeqytetit.

Aty qëndronte busti i bronztë i diktatorit Enver Hoxha.

Qëndronte si simbol i komunizmit.

Por 20 shkurti i vitit 1991 u kthye në të fundit ditë të qëndrimit të tij.

Mbështetësit e demokracisë e rrëzuan në zhurmë dhe pluhur.

Prej dëshmitarëve, asokohe u përfol se numëroheshin afro pesë mijë demonstrues që kërkonin largimin e udhëheqjes komuniste.

Ata ishin mbledhur pranë shtatores së Hoxhës, e cila ishte e rrethuar nga rreth 500 oficerë policie.

Paçka se në fillim policia qëllonte të shtëna paralajmëruese dhe hidhte tymues, disa oficerë shpejt filluan të përqafonin demonstruesit dhe i lejuan ata të lëviznin në bazën e betonit të bustit.

Disa demonstrues e tërhoqën atë me litar për gati një orë përpara se të rrëzohej dhe më pas, e tërhoqën me kamionë në kampusin universitar të Tiranës.

E gjitha, pak muaj pasi regjimi i vjetër në ditët e tij të fundit kishte lejuar pluralizmin politik.

Demonstruesit ishin mbledhur për të ngritur një grevë të përgjithshme dhe për t’iu bashkuar rreth 700 studentëve dhe pedagogëve në një grevë urie te universiteti.

Kërkonin përmirësimin e kushteve të jetesës dhe studimit, si dhe heqjen e emrit të Hoxhës nga universiteti.

Revolta popullore kishte kohë që kishte nisur. Që në muajin dhjetor studentët kishin ndërmarrë protesta, të cilat u shpërndanë në çdo qytet.

Po ashtu, protesta universitare kishte marrë jetë 15 ditë përpara me bojkot të mësimit.

Situata politike ishte e rënduar. Para dy muajsh ishte themeluar Partia Demokratike dhe ishte shpallur dita e zgjedhjeve të para pluraliste në vend më 31 mars 1991.

Ai 20 shkurt, tanimë njihet si Dita e Kujtesës Kombëtare për martirët dhe viktimat e regjimit komunist dhe shënon fundit e tij.

Varrosje në varre të pashënuara

Regjimi i kohës përdori të burgosurit si krahë pune dhe mbajti mijëra anëtarë të familjeve të personave të klasifikuar si “armiq” – përfshirë gra e fëmijë, në një rrjet kampesh internimi.

Të mbijetuarit e këtyre kampeve thanë më pas se ata kishin qenë dëshmitarë se si të burgosurit vdiqën në këto objekte paraburgimi dhe se si shumica e trupave të tyre u varrosën në varre të pashënuara nga autoritetet e burgut.

Një kamp i tillë pune ndodhej pranë qytetit industrial të Ballshit, ku tani ndodhet një rafineri nafte jashtë pune.

Dihet gjerësisht se pranë ish-kampit, ka disa dhjetëra varre të pashënuara që u përkasin njerëzve që humbën jetën në paraburgim.

Raporti i fundit i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) tregoi se shifrat e zhdukjeve midis viteve 1944 dhe 1991 shkon në rreth 6 mijë persona nga regjimi komunist.

Sipas të dhënave zyrtare, nga kjo shifër rreth 5 mijë e 501 prej tyre janë të dënuar për arsye politike, të cilët u ekzekutuan gjatë kësaj periudhe.

Mbi Ligjin për Dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist, raporti vë fjalën te lënia jashtë e familjarëve që nuk zotërojnë një dokument që vërteton statusin e tyre.

Mungesa e një Task Force, që nga mbyllja e saj në 2014, është një tjetër problematikë që ngrihet në raportin e komisionit.

Nga Task Force, raport-vlerësimi merr në konsideratë Institutin për Integrimin dhe Rehabilitimin e ish-të Përndjekurve Politikë (IIPP) dhe Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit.

Në mbyllje të raportit, Komisioni e sheh të arsyeshme se, duke qenë se Shqipëria nuk ka një të ngjashëm të Institutit të Personave të Zhdukur, roli i këtij institucioni mund të zëvendësohet nga IIPP ose Autoriteti.

Mbi të gjitha, vlerësohet fakti që parlamenti shqiptar i ka dhënë më shumë rëndësi Autoritetit për të koordinuar hetimin dhe identifikimin e personave të zhdukur.

Problematikat e Institucionit të Autoritetit, sipas raportit, janë mungesa e stafit që kërkon mundësi trajnimi për sistematizimin, kategorizimin, hulumtimin dhe analizën e dokumenteve dhe të dhënave që disponon.

Rekomandimet i përkasin më shumë pikërisht institucionit të Autoritetit dhe përmbushjes së burimeve financiare dhe njerëzore nga ana e qeverisë, apo dhe me rritjen e besueshmërisë së vetë institucionit.

E për sa kohë që eshtrat e viktimave të komunizmit nuk gjenden, marrëzisë së regjimit të kohës nuk do t’i shihet asnjëherë fundi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore