Shqipëria

Marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët kalon për shqyrtim në Kuvend


Marrëveshja e lidhur mes Italisë dhe Shqipërisë për ngritjen e dy kampeve të refugjatëve në Gjadër dhe në Shëngjin, është futur në rend të ditës në Komisionin e Ligjeve.

Marrëveshja në fjalë është miratuar më herët edhe në Këshillin e Ministrave.

Referuar kalendarit të punimeve që pritet të miratohet nga Konferenca e Kryetarëve, marrëveshja pritet të diskutohet në Komisionin e Ligjeve.

Më pas ajo do të kalojë në Kuvend për shqyrtim.

Sakaq, marrëveshja Shqipëri-Itali do të shqyrtohet brenda datës 22 dhjetor.

Më herët, Parlamenti italian i ka dhënë dritën jeshile projekt-ligjit së mazhorancës për çështjen e emigrantëve.

Votat pro ishin 189 ndërsa kundër 126.

Teksti e angazhon qeverinë “të miratojë çdo iniciativë të nevojshme, duke përfshirë një projekt-ligj ratifikimi, për një zbatim efektiv dhe urgjent të marrëveshjes” midis Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët.

Janë miratuar edhe pjesët e rezolutave të M5S dhe të pjesës tjetër të opozitës për të cilat qeveria kishte dhënë një opinion pozitiv: ato i referohen edhe angazhimit të qeverisë për të paraqitur një projektligj për ratifikimin e marrëveshjes me Shqipërinë.

Marrëveshja

Qeveria shqiptare, të martën e 7 nëntorit, ka zbardhur Protokollin e firmosur ndërmjet qeverisë së Republikës italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Kështu bëhet me dije se marrëveshja për strehimin e emigrantëve – të kapur në det nga Italia – në dy qendrat e ndërtuara në Shqipëri, do të zgjasë plot pesë vite.

Shpenzimet për këtë vendim politik deri më tani do të përballohen nga Italia, e cila do t’i paguajë Shqipërisë fondin e parë në shumën 16.5 milionë euro, brenda një 3-mujori.

Parashikohet që mbi 100 milionë euro të jenë të ngrira në një llogari bankare të nivelit të dytë si garanci.

Italia, ndërkaq merr përsipër të gjitha shpenzimet për kujdesin spitalor sipas legjislacionit shqiptar, pas administrimit të trajtimeve spitalore të palës shqiptare.

Neni 3 i kësaj marrëveshjeje përcakton se shteti fqinj merr në përdorim sipërfaqe të territorit shqiptar për ngritjen e strukturave pritëse të cilat parashikohen të ngrihen në Shëngjin dhe në Gjadër.

Neni 4, që është pika kryesore e këtij protokolli thekson se Italia ngre tërësisht me shpenzimet e saj, strukturat për qëndrimin e migrantëve.

Kufiri maksimal i pritjes së së të huajve do të jetë jo më shumë se 3 mijë persona të strehuar në të njëjtën kohë.

Gjithashtu Italia do të përballojë çdo shpenzim për të strehuarit, duke përfshirë kostot e kujdesit shëndetësor dhe tjetër të parashikuar që mund t’i vijë palës shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore