Lajme

Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë nuk do të dërgohet në parlament për ratifikim – atëherë çfarë e bën të obligueshme për shtetet?


Meqë Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është një marrëveshja finale mes dy vendeve, teksti nuk do të dërgohet fare për ratifikim në parlamentet e dy shteteve, ka kuptuar Albanian Post nga burime diplomatike të përfshira thellë në procesin negociator.

Siç edhe theksohet në nenin 6 të tekstit, “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë” është vetëm një hap thelbësor drejt normalizimit të plotë.

Pra, kjo marrëveshje nuk është marrëveshja përfundimtare ligjërisht e obligueshme.

Një nga arsyet e mos-pasjes nevojë për dërgim në parlamente është se gjithçka që marrëveshja ekzistuese trajton shtrihet brenda fushës së kompetencave ekskluzive që kanë të dy qeveritë, përfshirë edhe zotimet e caktuara për sjellje te përgjegjshme dhe paqësore në rrafshin ndërkombëtar.

“Ne nuk presim që qeveria në Beograd a do ta dërgojë këtë marrëveshje për ratifikim në parlament, rrjedhimisht edhe qeveria në Prishtinë nuk ka nevojë ta bëjë këtë”, thotë për Albanian Post një burim diplomatik brenda procesit të hartimit të udhërrëfyesit për implementim të marrëveshjes.

“Kjo marrëveshje mund të jetë temë e një debati politik në parlamentet e të dyja palëve, por, në pikëpamje ligjore, nuk ka nevojë që marrëveshja t’i nënshtrohet votimit në parlament”, thotë burimi.

Ndërsa, “Marrëveshja përfundimtare që trajton edhe elementet problematike kushtetuese do të duhet të ratifikohet si në parlamentin e Kosovës ashtu edhe në atë të Serbisë”.

Por, nëse nuk ratifikohet në parlamente, atëherë çfarë e bën të obligueshme?

Sipas burimeve të Albanian Post, “garancia e implementimit qëndron në përkushtimin e palëve për përafrim dhe anëtarësim në BE”.

Kjo nënkupton që çdo hap i procesit të përafrimit dhe anëtarësimit të Serbisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian do të vlerësohet nëpërmjet përkushtimit të palëve për të implementuar këtë marrëveshje.

“Me pak humor, natyra politiko-juridike e kësaj marrëveshjeje mund të cilësohet si “A BINDING LEGALLY NON-BINDING AGREEMENT” (Një marrëveshje  ligjërisht jo e obligueshme që megjithatë është e obligueshme)”, sqaron burimi diplomatik për Albanian Post.

Se garanci për zbatimin e pikave të marrëveshjes është rruga evropiane e dy shteteve tregohet edhe në paragrafin e parë të nenit 10 të marrëveshjes.

Do të jetë një komision i veçantë, i kryesuar nga Bashkimi Evropian, i cili do të vlerësojë zbatimin në terren.

“Palët do të themelojnë një Komision të përbashkët, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, për të monitoruar zbatimin e kësaj Marrëveshje”, saktëson neni.

Për këtë pjesë kanë folur edhe ndërmjetësit Miroslav Lajçak e Josep Borrell.

Vlerësimet e këtij komisioni në zbatim të pikave do të jenë kontrollori që e bën perëndimin të shpërndajë karota, apo shkopinj sipas sjelljes së palëve në terren.

Kjo përben herën e parë që BE formon komision kontrolli.

Ky është edhe dallimi kryesor mes kësaj marrëveshje dhe marrëveshjeve paraprake.

Në të kaluarën, ka qenë në vullnetin e palëve që të implementojnë një marrëveshje, apo jo, prandaj edhe nga mbi 30 që janë arritur nga vitit 2011 mes Kosovës dhe Serbisë, një numër i madh i tyre nuk janë zbatuar asnjëherë.

Përmes këtij mekanizmi kontrollues gjithashtu do të vlerësohet edhe pika 11 e marrëveshjes, që është zbatimi i të gjitha ujdive paraprake. Kështu, BE synon të përmirësojë edhe lëshimet nga e kaluara dialoguese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore