Lajme

Marrëveshja e Serbisë me Rusinë është e gabuar, thotë DASH


Përafrimi i mëtejshëm i Serbisë me Rusinë është një hap në drejtimin e gabuar dhe në kundërshtim me aspiratat evropiane të deklaruara nga ana e saj.

Kështu ka deklaruar një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për mediumin “Zëri i Amerikës”, teksa ka shtuar se DASH e cilëson të gabuar nënshkrimin e marrëveshjes mes Serbisë dhe Rusisë javën e kaluar.

“SHBA-të besojnë se asnjë vend nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë ndërkohë që ajo vazhdon agresionin e saj në Ukrainë”, tha ai.

Të premten ministri i Jashtëm serb, Nikola Selakoviç nënshkroi marrëveshjen për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme me ministrin e jashtëm rus, Sergey Lavrov.

Më herët, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, deklaroi se marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Serbisë dhe Rusisë ka për qëllim të hartojë një plan për konsultim të dy ministrive të punëve të jashtme të dy vendeve për dy vitet e ardhshme nuk përmban asnjë risi.

Për të, plani konsultativ nuk ka asgjë të veçantë, por se Rusia dëshironte që ajo ta justifikonte luftën e saj në Ukrainë.

Sipas diplomatit veteran amerikan, nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë me Rusinë është e pazakontë dhe sipas tij në këtë rast pyetja duhet të jetë pse Rusia po nënshkruan diçka me Serbinë, kur Moska duhet të fokusohet ta ndërpresë luftën në Ukrainë.

Zbulohet përmbajtja e dokumentit që nënshkruan Serbia me Rusinë

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore