Lajme

Zbulohet përmbajtja e dokumentit që nënshkruan Serbia me Rusinë


Mediumi serb “Blic” ka publikuar përmbajtjen e supozuar të dokumentit bashkëpunimi të nënshkruar javën e kaluar në New York nga ministrat e jashtëm të Serbisë dhe Rusisë, i cili prodhoi kritika të shumta për shtetin serb, meqë u nënshkrua një marrëveshje me një shtet agresor si Rusia.

Edhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, kërkoi shpjegim dhe informacion zyrtar në lidhje me përmbajtjen.

Dokumenti përmban katër faqe, ndërsa përmbajtja korrespondon fjalë për fjalë me emrin: plani i konsultimit të dy ministrive të punëve të jashtme për dy vitet e ardhshme.

Bëhet fjalë për orarin e takimeve gjatë vitit 2023 dhe 2024. Dokumenti nuk përmban asnjë pikë në lidhje me situatën e sigurisë në lidhje me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.

Gjithashtu nuk ka asnjë artikull apo takim lidhur me qëndrimin e qendrës së diskutueshme ruse në Nish, e cila prej vitesh është objekt i interesimit të ambasadave të huaja.

Plani i nënshkruar nga ministrat Nikolla Selakoviç dhe Sergej Lavrov i referohet një marrëveshjeje nga koha e Republikës Federale të Jugosllavisë, e vitit 1996.

Sipas Blic-it, mbi të njëjtën bazë, në vitet e kaluara Serbia dhe Rusia kishin planifikuar konsultime për çështje të ndryshme të marrëdhënieve dypalëshe, çështje rajonale dhe evropiane.

Është një plan bashkëpunimi dypalësh.

Më saktësisht, është një listë e takimeve dhe konsultimeve dypalëshe të planifikuara mes dy ministrive.

“Ky plan parasheh orar të takimeve, ngjarjeve, nënshkrimeve të memorandumeve, konsultimeve ndërqeveritare që nuk janë në nivelin më të lartë”, thotë burimi i “Blic” nga qarqet diplomatike.

Ndërsa ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, po pret shpjegim nga Serbia se çfarë lloj dokumenti bashkëpunimi është nënshkruar me Rusinë, pas bisedimeve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York.

Në një konferencë për shtyp pas hapjes së forumit rajonal “Qeverisja e mirë dhe politikat antikorrupsion në kohë pasigurie gjeopolitike”, Hill tha se “nuk është plotësisht e qartë” se çfarë përmban dokumenti, por se “në këtë moment, askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë”.

Hill: Po pres shpjegim se çfarë nënshkroi Serbia me Rusinë

“Askush nuk nënshkruan asgjë (me Rusinë). “Është e vështirë për ne ta kuptojmë, por presim një shpjegim”, tha Hill.

Ambasadori shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) mbështesin Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe në heqjen e varësisë së saj energjetike nga Rusia “e cila bazohet në shantazh”, por se kjo ndihmë do të jetë aq sa kërkon Serbia.

Hill tha se SHBA-të duan të dëgjojnë se çfarë dëshiron Serbia duke nënshkruar një marrëveshje me një vend që “sulmoi brutalisht fqinjin e tij” dhe kërcënon të përdorë armë bërthamore.

Ministrat e Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Rusisë, Nikola Selakoviç dhe Sergej Lavrov, nënshkruan më 23 shtator në Neë York “Planin e Konsultimit të Ministrive të Punëve të Jashtme” të dy vendeve për dy vitet e ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore