Lajme

Maqedoni e Veriut: LSDM – Të dielën zgjedhë kreun e partisë


LSDM

Pas tre mandateve si kryetar i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë së Veriut (LSDM), Zoran Zaev lëshon frontin socialdemokrat.

Dorëheqja e tij erdhi pas debaklit që pësoi LSDM në Zgjedhjet Lokale të mbajtura me 17 tetor. Gjatë mandateve të tij, LSDM-ja doli nga kriza legjitime, ndërsa Maqedonia e Veriut doli edhe nga kriza politike dhe ajo e sigurisë, duke u bërë anëtare e aleancës më të madhe ushtarake, Aleancës Veri-Atlantike (NATO).

Megjithatë, Zaev po largohet duke e lënë përsëri vendin në një krizë tjetër, kësaj radhe shëndetësore, energjetike dhe mospajtimeve identitare me Bullgarinë.

Zoran Zaev

Të dielën e 12 dhjetorit 60 mijë anëtarë aktiv të LSDM-së do të votojnë për njërin nga tre kandidatët për pasardhës të Zaevit.

Në garë janë, Dimitar Kovaçevski, Frosina Remenska dhe Jovan Despotovski. Kovaçevski së fundi është parë në shoqërim të Zaevit, posaçërisht në takimet për zgjerimin e shumicës parlamentare.

Ky kandidat pretendon që nën menaxhimin e tij, LSDM do të rikthehet si parti fituese në bllokun politik maqedonas.

“Për ne ka rëndësi që ta kthejmë besimin se mundemi vetë dhe duhet të punojmë vetë si parti për ta avancuar shoqërinë tonë, gjithmonë duke pasur parasysh përcaktimin e qartë në rrugën e integrimeve evropiane”, ka deklaruar Kovaçevski.

Dimitar Kovaçevski

Ndërsa kundër kandidatja e tij, Frosina Remenski, pretendon të angazhohet për përfaqësimin dhe përfshirjen e gruas në politikë, dhënien fund të dhunës ndaj grave dhe kthimin e dinjitetit të LSDM-së.

Mirëpo, Remenski ishte larguar nga udhëheqja e partisë për shkak të dyshimeve për përfshirjen e saj në rastin gjyqësor “Lidhja ndërkombëtare”, gjë që kjo mund ta dëmtoj rëndë kandidaturën e saj.

“Me këtë dua të tregoj se gratë edhe munden edhe dinë. I inkurajoj të gjitha femrat, pavarësisht cilës parti politike i përkasin, përkatësisë etnike apo janë ose jo në funksione partiake të mos tërhiqen na beteja e tyre, këmbëngulja, liria dhe e drejta e tyre”, është shprehur Remenski.

Frosina Remenski

Ndërsa Jovan Despotovski, ka thënë se me zgjedhjen e tij si kryetar Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë së Veriut (LSDM), ky subjekt politik do t’i rikthehet përcaktimeve primare politike, ndërsa rruga euroatlantike e Maqedonisë së Veriut do të mbetet shtegu i vetëm dhe i pa cenuar.

“Fokusi jonë mbeten qytetarët, zgjidhjet e shpejta dhe efikase për problemet me të cilat qytetarët ballafaqohen ndër vite. LSDM-ja ka ekip, njerëz dhe rezultate dhe mbi gjitha dëshmoi se din të ballafaqohet me sfidat bashkëkohore”, ka deklaruar Despotovski.

Statuti i LSDM-së parasheh që pas zgjedhjes së kryetarit të partisë, duhet të zgjidhen organet e reja partiake, ndërsa udhëheqjen e subjektit e zgjedh kryetari i partisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore