Kosova

Maqedonci takon zyrtarin e Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë, flasin për sigurinë


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është takuar këtë të marte me Shefin e Departamentit për Marrëdhënie me Jashtë të Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë, gjeneral brigade Omer Nafiz Gulmezoglu, me të cilin ka biseduar për situatën e sigurisë në vend.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Maqedonci, përmes një postimi në Facebook, ku njoftoi se me Gulmezoglu-n ka biseduar për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe kërcënimet që vijnë nga jashtë.

“Ndërsa e falënderova gjeneralin Gulmezoglu për mbështetjen e pakursyer që Turqia i ka ofruar Kosovës nëpër të gjitha fazat e shtetndërtimit, në veçanti në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe shpreha vullnetin e fuqishëm për vazhdimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi të ngushtë në mes të të dyja vendeve”, shkroi Maqedonci.

Nga ana e tij,  gjenerali Gulmezoglu, siç ka njoftuar ministri, vuri në dukje se Turqia “gjithmonë do ta mbështesë Kosovën në arritjen e qëllimeve të saj strategjike”.

Maqedonci ka theksuar se të dy janë dakorduar që ruajtja e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon përbën prioritet, dhe në këtë aspekt “do të vazhdojmë koordinimin me KFOR, ku shërbejnë dhe trupat turke”.

Ndryshe, së fundmi Kosova ka blerë pajisje ushtarake nga Turqia, siç janë dronët “Bayraktar TB-2”.

Në një postim në rrjetet sociale, më 16 korrik të vitit të kaluar, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte prezantuar dronët së bashku me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari dhe ish-Ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, derisa kishte deklaruar se “Kosova tash është edhe më e sigurt” dhe se FSK-ja ka kryer trajnimin për përdorimin e dronëve.

Autoritetet e Kosovës nuk kanë dhënë detaje për numrin apo çmimin e dronëve e as kur kanë arritur në Kosovë, por jozyrtarisht është thënë se kjo ka ndodhur në muajin maj pak para stërvitjeve ushtarake “Defender Europe 2023” me shtetet e NATO-s, nga të cilat Kosova ishte përjashtuar për shkak të situatës në Veriun e vendit të banuar me serbë etnikë.

Ndërsa, në dispozicion të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) tani e tutje do të jetë edhe sistemi turk “OMTAS” për shkatërrimin e tankeve dhe mjeteve të blinduara në një distancë deri në 4 kilometra, i cili mund të operojë në të gjitha kushtet e atmosferike, ditën dhe natën, madje nuk kërkon kontroll të mëtejshëm pas lëshimit të raketës në drejtim të objektivit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore