Sport

Manchester United, gjashtë lojtarë me valixhe në duar


Manchester United-i ka zhvilluar një nga sezonet më të mira të viteve të fundit, duke qëndruar në vend të parë të Premier Ligës për disa javë, por pa arritur ta fitojë trofeun.

Megjithatë, United-i renditet në vendin e dytë dhe sezonin tjetër do të jetë në Ligën e Kampionëve, pa harruar se ka edhe një finale të Ligës së Europës për të luajtur përballë Villarreal-it.

Sezonin e ri, United-i i Ole Gunnar Solskjaer-it pritet të ketë ndryshime në skuadër, duke mbuluar boshllëqet me afrime të reja, por njëkohësisht edhe duke larguar lojtarët që besohet se nuk kanë më çfarë japin për United-in.

Përpara se të mendohet për merkaton në hyrje, ku ndiqen emra me peshë si Jadon Sancho, Erling Haaland, Harry Kane, apo Ousmane Dembele, United-i po mendon të largojë gjashtë lojtarë fillimisht.

Lista me gjashtë emrat që pritet të largohen në përfundim të këtij sezoni përbehet nga dy nga tre portierët aktual: De Gea – Henderson – Romero. Dy të parët duelojnë për vendin e formacionit dhe ai që e fiton vendin e titullarit do të qëndrojë, ndërsa tjetri do i bashkohet Romero-s për t’u larguar.

Më pas, lista vijon me dy mbrojtës, Alex Telles-i dhe Victor Lindelof-i. I pari, u transferua vetëm një vit më parë nga Porto, ku po shkëlqente, por në Angli nuk mundi të kishte të njëjtin shkëlqim.

Suedezi Lindelof, u transferua në 2017 nga Benfica për 35 milionë euro, si dëshirë e Jose Mourinho-s, por nuk e tregoi nivelin që kishte në Portugali edhe në Premier Ligë.

Dhe së fundmi, pjesë e listës janë edhe dy mesfushorë : Matiç – Mata. Serbi kërkohet nga Mourinho te Roma, pasi ishte vetë portugezi që e mori edhe te United-i. Mata kërkohet nga disa klube në Spanjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore