Sport

Mançesteri është i kuq


Derbi i Mançesterit ka nxjerr fitues Djajt e Kuq. Bruno Fernandes dhe Luke Shaw i mjaftuan Manchester United-it për të dalë me tri pikë përballë Manchester City-t, në atë fitore 0-2.

Ndeshja u hap që në minutën e dytë të takimit, kur Fernandes-i ekzekutoi saktë një penallti. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-1.

Me fillimin e pjesës së dytë, në të 50 minutë, përsëri United-i shënoi gol. Kësaj radhe shënoi Shaw, mbrojtësi i majtë, i cili u asistua nga Marcus Rashford-i.

Dy golat mjaftuan që United-i të dilte me tri pikë dhe si “sundues” i qyetit, pavarësisht faktit që ekipi i Pep Guardiola-s është në vendin e parë të Premier Ligës.

United-i në kampionat fitoren e fundit përballë City-t e kishte pikërisht një vit më parë, më 8 mars 2020 dhe çuditërisht me po të njëjtën shifër. Ndryshimi i vetëm është se atëher ishte ekipi pritës.

Ndërkohë që në ndeshjen e fundit përballë njëra-tjetrës, ka fituar City, me rezultatin 0-2, në Kupën EFL, më 6 janar.

Për t’u rikthyer te takimi i të dielës, statistikisht skuadra e Pep qëndronte më lartë. Mbajtja e topit ishte 66% për citizens, ndërkohë që lëshuan drejt portës kundërshtare 23 gjuajte, nga të cilat vetëm gjashtë në kuadrat.

Ekipi i Ole Gunnar Solskjaer-it, goditi tetë herë portën kundërshtare, nga të cilat gjashtë ishin në kuadrat dhe dy prej tyre rezultuan fatale për Ederson-in.

Raheem Sterling-u dhe Joao Cancelo bënë një ndeshje plotësisht për t’u harruar, së bashku me Anthony Martial-in.

Lojtari më i vlerësuar i takimit ishte, Dean Henderson, portieri i United-it. 23-vjeçari bëri një paraqitje të shkëlqyer, duke treguar vlerat në mënyrën më të mirë të mundshme dhe përballë një ekipi si City.

Henderson-i u vlerësua me notën 8.1 nga Sofascore. Pjesa tjetër e ekipit të United-it bëri paraqitje të mirë, ashtu si dhe lojtarët e City-t. Skuadrat u vlerësuan përkatësisht, United-i me notën 7.07 dhe City me 6.96.

Me rezultatin e arritur, City qëndron në vend të parë, ku pas 28 javësh numëron 65 pikë, ndërsa United-i ngjitet në vendin e dytë me 54 pikë, duke forcuar pozitat në top 4.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore