Shqipëria

Manastirliu, telefonatë me Filipçen: Në gatishmëri për të ndihmuar Tetovën


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, mëngjesin e 9 shtatorit, ka bërë me dije se ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut.

Pas një bisede telefonike me homologun e saj Venko Filipçe, Manastirliu tha se, “e sigurova për gatishmërinë tonë, për të ndihmuar me të gjitha mundësitë dhe burimet tona në këtë moment të vështirë për fqinjët tanë”.

Nga ana tjetër, ministrja shqiptare shprehu ngushëllimet për jetët e humbura në këtë fatkeqësi.

Ngjarja e Tetovës

Mbrëmjen e 8 shtatorit, spitali modular COVID-19 në Tetovë u përfshi nga flakët. Deri më tani të konfirmuar zyrtarisht janë 14 viktima.

Ndërkohë 12 persona janë nxjerrë të gjallë nga ndërtesa dhe gjendja e tyre paraqitet e qëndrueshme.

Urdhra autopsie janë lëshuar nga prokurorët, ndërsa identifikimi i trupave vijon. Kërkimet për trupa të tjerë vazhdojnë në Tetovë.

Për shkak të gjendjes së trupave, disave prej tyre mund t’u nevojiten analiza të ADN-së për të përcaktuar identitetin.

Nga informacionet e para, të vdekur mes personelit mjekësor nuk ka. Ndërkohë që stafi spitalor është marrë në pyetje që prej orëve të vona të natës, për të mësuar shkaqet e rënies së zjarrit.

Ndërkaq, qeveria e Maqedonisë së Veriut ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme sot në orën 10:00. Një vendim ky, i cili vjen pas përfundimit të seancës së shtabit të krizës në Tetovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore