Shqipëria

Manastirliu: Pritet të mbërrijnë 11 mijë e 700 vaksina Pfizer


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, të hënën e 14 qershorit, ka deklaruar se pritet të mbërrijnë 11 mijë e 700 doza vaksine Pfizer.

Në fjalimin e saj, ajo bëri me dije se së bashku me sasinë e mbërritur gjatë kësaj dite nga Qeveria greke, Shqipëria arrin mbi 967 mijë doza vaksine.

“Sot, fasha e vaksinimit ka zbritur në 57 vjeç, përpos vaksinimit të kombinuar me kategoritë e riskut”.

Ndërkaq ajo shtoi se me mbërritjen e dozave të tjera do të ulet dhe më tej fasha e vaksinimit.

“Kjo është koha më e mirë për të intensifikuar këtë proces jetik për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe për t’i dhënë padyshim frymëmarrje ekonomisë dhe turizmit”.

Nga ana tjetër Ministrja tha se kjo është java e nëntë, ku vijon rënia edhe situatë e qëndrueshme e rasteve të reja me COVID.

“Në dy javët e fundit kemi një rënie të ndjeshme të indikatorëve matës. Siç është incidenca dyjavore, që është pesë raste/100 mijë banorë. Shtrimet në spitale zënë vetëm 5% të kapaciteteve tona”.

Duke e mbyllur fjalimin e saj tha se “Shqipëria konsiderohet si një zonë me risk të ulët të përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga Sars-Cov2”.

Masat e reja lehtësuese

Nga 1 qershori kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër Covid-19, me një lehtësim të dukshëm pas rasteve të vazhdueshme në ulje dhe një fushatë vaksinimi ndër më të suksesshmet në Evropë.

Aspekti më kryesor është ai i heqjes së mbajtjes së detyrueshme të maskave në ambientet e hapura publike. Pavarësisht kësaj, barriera mbrojtëse do të jetë e detyruar të mbahet në ambientet e mbyllura. Po ashtu, edhe në ambiente të jashtme, ku është e pamundur të ruhet distancimi social.

Ora policore do të pësojë gjithashtu ndryshim, duke lejuar lëvizjen për një orë më shumë. Nga një orë policore prej 22:00-06:00, ajo do të shtyhet në 23:00 dhe do të përfundojë në 06:00.

Nga këto lehtësime, nuk përftojnë klubet e natës dhe diskot. Ato do të vijojnë të jenë të mbyllura, ndërsa muzika do të lejohet deri në orën 22:00.

Fushata e vaksinimit

Fushata e vaksinimit masiv vijon gjithashtu me ritme të shpejta. Ndërkohë, deri më tani, janë vaksinuar mbi 834 mijë shqiptarë.

Mbi 250 mijë qytetarë, i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-Covid.

Në Shqipëri kanë mbërritur deri tani mbi 900 mijë doza të vaksinave anti-Covid, ndërsa janë siguruar përmes kontratave të deritanishme, 2.4 milionë doza.

Gjatë kësaj dite kanë mbërritur 20 mijë doza të vaksinës AstraZeneca si dhuratë nga qeveria e shtetit fqinj, Greqia.

Që prej fillimit të vaksinimit masiv të popullsisë, Shqipëria renditet ndër vendet me fushatat më të suksesshme të dozave të administruara për banor.

Katër janë vaksinat e përdorura në vendin tonë: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

Ministria gjithashtu u bën apel të gjithë qytetarëve të mos e ulin vigjilencën. Apel ka edhe për vijimin e zbatimit të rregullave për parandalimin e Covid-19.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore