Lajme

Mali i Zi/ Sërish pesë anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare bojkotojnë mbledhjen


Në mbledhje e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të thirrur për të dytën ditë me radhë, me të njëjtin rend të ditës, nuk janë paraqitur sërish pesë anëtarët, të cilët bojkotuan mbledhje edhe të martën e 25 janarit, ka njoftuar kabineti i kryeministrit Zdravko Krivokapiç, përcjellë Mina.

Në këtë mbledhje nuk është paraqitur koordinatori i Shërbimeve të Sigurisë dhe zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq, kryetari dhe nënkryetari i Komisionit për Siguri të Parlamentit të Malit të Zi, Milan Knezeviç dhe Mevludin Nuhoxhiç, ministri i Punëve të Brendshme, Sergej Sekuloviç dhe ai i Punëve të Jashtme, Gjorgje Raduloviç.

“Është për t’u habitur që personat në pozita të tilla përgjegjëse nuk janë të interesuar të vënë në dispozicion të publikut raporte për rezultatet e veprimeve të sektorit të sigurisë gjatë kurorëzimit të Mitropolitit Joaniki të Malit të Zi dhe Bregdetit më 5 shtator në Cetinje”, ka thënë kryeministër Krivokapiç.

Gjithashtu ai ka deklaruar se ka pasur një papërgjegjshmëri të veçantë kur bëhet fjalë për vlerësimin e rrezikut të inteligjencës dhe sigurisë dhe kërcënimit për sigurinë kombëtare të Malit të Zi.

“Nga të gjitha sa më sipër, mund të konstatohet se kush kujdeset për sigurinë e qytetarëve të Malit të Zi, dhe kur atyre u intereson vetëm politika”, përfundon deklarata e tij.

 

Dritan Abazoviq udhëton në Beograd për tu takuar me Patriarkun Porfir

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në orët e para të mbrëmjes të së mërkurës së 26 janarit ka mbërritur në Beograd i shoqëruar nga Zoran Mikiç, zyrtar i Lëvizjes Qytetare URA, për tu takuar me Patriarkun serb, Porfiri.

Tema kryesore e takimit të Abazoviqit me Patriarkun serb është Marrëveshja Themelore që Qeveria e Malit të Zi duhet të nënshkruajë me Kishën Ortodokse Serbe, thuhet nga burimet jo zyrtare të RTCG-së.

Zëvendëskryeministri dhe kreu i Kishës Ortodokse Serbe do të diskutojnë edhe për qetësimin e tensioneve dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi, ka shkruar RTCG.

 

Por “Urdhri” i 5 shtatorit çka është?

“Urdhri për përdorimin e dy helikopterëve ushtarakë, të cilët në mëngjesin e hershëm të 5 shtatorit i transportuan priftërinjtë e Kishës së Serbisë për në Cetinje, është lëshuar nga shefi i shtabit të përgjithshëm, gjenerali Milutin Gjuroviç, në bazë të vendimit të ministres së Mbrojtjes, Olivera Injac”.

Kështu kishte bërë të ditur mediumi malazez “CdM”, pas një hulumtimi të gjerë mbi ngjarjet që ndodhën në rastin e kurorëzimit të Mitropolitit Joanikije në Manastirin e Cetinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore