Lajme

Macron trazon opinionin publik në Francë me fotot bardhezi duke bërë boks


Publikimi i fotove që tregojnë Emmanuel Macron duke goditur një thes boksi janë pritur me një përzierje lëvdatash dhe tronditjesh në Francë.

Fotot bardhezi të postuara në Instagram nga fotografi i tij zyrtar, Soazig de la Moissonnière, e tregojnë presidentin me dhëmbë të shtrënguar teksa stërvitet.

Përdoruesit e mediave sociale shpejt filluan ta krahasojnë atë me Rocky Balboa.

Kurse të tjerë vunë në dyshim kohën e shfaqjes së fotove, pasi Macron i ka bërë thirrje Evropës që të rrisë reagimin kundrejt luftës së Rusisë ndaj Ukrainës.

Disa thanë se fotot e tregonin atë duke u përgatitur për t’u përballur me Presidentin rus Vladimir Putin, i cili nuk është i panjohur për fotot e krijuara për të treguar aftësitë e tij sportive.

Revista Femme Actuelle i përshkroi fotot në mënyrë më lajkatare, duke shkruar se ato tregonin “burrin e Brigitte Macron me një vështrim të vendosur, sikur ai dëshiron të bëjë betejë me kundërshtarin e tij”.

Sakaq, komentatorë të tjerë u shprehën të shqetësuar për imazhet.

Deputetja franceze e të Gjelbërve, Sandrine Rousseau, ripostoi një nga fotot me komentin: “Çfarë disfate për progresivizmin. Dhe çfarë varfërie komunikimi politik”.

Ndërkohë, Jonathan Bouchet-Petersen tha se fotot ishin një “zgjedhje komunikimi mjaft tronditëse”.

Po ashtu tha se do të ishte e parapëlqyer nëse fotografia do të ishte vërtet produkt i një përdoruesi të pafytyrë të mediave sociale, siç kishte supozuar fillimisht.

Éric Anceau, një profesor historie në Universitetin e Lorraines, shkroi në X se fotot ishin “pjesë e burrërisë neo-populiste që disa liderë e duan sot, duke filluar nga mjeshtri i zhanrit (deri tani) Vladimir Putin”.

Më parë, Putin është fotografuar duke peshkuar, duke gjuajtur dhe hipur në kalë me gjoksin e zhveshur, duke luajtur hokej mbi akull, duke mposhtur kundërshtarët e tij në xhudo dhe duke hipur në tanke dhe nëndetëse.

Por edhe Macron ka ngritur më parë vetullat me një foto të tij të shtrirë në një divan me këmishën e tij të zbërthyer duke zbuluar gjoksin gjatë fushatës së tij zgjedhore 2022.

Vitin e kaluar, Brigitte Macron zbuloi në një intervistë për Paris Match se presidenti bokson dy herë në javë.

Edhe më parë ai ka pozuar me doreza boksi për të promovuar stërvitjen përpara Olimpiadës së Parisit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore