Lajme

Macron dhe Sunak bien dakord për një qendër të re emigrantësh në veri të Francës


Sfida të përbashkëta dhe një “fillim i ri”.

Tashmë, do të ketë një qendër të re emigrantësh në veri të Francës, e cila do të shërbejë edhe për ata, të cilët kthehen mbrapsht nga Britania e Madhe.

Ka qenë ky përfundimi i takimit mes presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrit britanik, Rishi Sunak, të cilët në Paris arritën dakordësinë mbi çështjen e kalimeve të jashtëligjshme përmes kanalit të La Manche.

Vetë Franca e ka bërë me dije më parë se do të shtojë forcat e saj bregdetare dhe kontrollet, por me qendrën e re të emigracionit, gjithçka shtrihet në një rrafsh të ri dydimensional.

“Nuk duhet të jenë bandat kriminale, ato të cilat vendosin se kush vjen apo jo në vendin tonë dhe mbi këtë kam edhe dakordësinë me presidentin Macron”, bëri me dije Sunak gjatë një fjale të shkurtër pas takimit.

Po ashtu, u bë me dije edhe numri i saktë i forcave të reja patrulluese në bregdetin verior francez, i cili do të shtohet me 500 personel.

Dronë të teknologjisë së lartë për vrojtimin e vijës bregdetare përfshihen gjithashtu në gjithë skemën e re të luftës ndaj emigracionit të jashtëligjshëm.

Risia e fundit ndërkaq, do të jetë fakti se ekipe nga të dy palët, do të funksionojnë reciprokisht në pika të përbashkëta kontrolli, për të ulur fluksin e emigrantëve.

Rruga e kanalit të La Manche është bërë ndër më të përdorurat së fundmi dhe prek posaçërisht edhe shtetasit shqiptarë, të cilët e ndërmarrin këtë rrugë.

Me gomone, skafe, apo mjete të tjera lundruese, ata nisen nga brigjet franceze, pak të kontrolluara deri tani pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimit Evropian, dhe shkojnë në qendrat e azilkërkimit në Britaninë e Madhe.

Rreth 30% e rasteve tërësore gjatë vitit të shkuar, kanë qenë nga Shqipëria dhe kjo u kthye në temë të gjerë për politikën në vendin ishullor dhe ndikoi edhe në raportet diplomatike mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë në disa çaste tensionesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore