Lajme

Lutfiu kërkon unifikimin e skenës politike në Luginë: S’kemi nevojë për përplasje, problem e kemi diskriminimin që na bënë Serbia


Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Serbi, Nevzad Lutfiu.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Serbi, Nevzad Lutfiu, pas akuzave dhe kundërakuzave në mes të kryetarit të Preshevës, Shqiprim Arifi, dhe ish-kryetares së kësaj komune, Ardita Sinani, ka bërë ftesë publike për unifikimin e faktorit politik në Luginë të Preshevës.

Përmes një postimi në Facebook, Lutfiu i bëri thirrje elitës politike në Luginë që ta marrin shembullin e partive në Kosovë, të cilat ishin në një linjë pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.

“Në kohën kur partitë politike në Kosovë janë unifikuar për një interes nacional dhe kanë një qasje karshi situatës së fundit, është i pakuptueshëm dhe shumë i dëmshëm debati dhe akuzat mes subjekteve politike në Luginë”, shkroi.

Në këtë moment, pohoi ai, “na duhet maturi, vetëpërmbajte, dhe nëse ka nevojë ta përmirësojmë njëri-tjetrin”.

Të mërkurën, Ardita Sinani – këshilltarja e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti – akuzoi të parin e Preshevës se ka respektuar ditën e zisë që Serbia e kishte shpallur në nderim të terroristëve të vrarë në Banjskë të Zveçanit, akuza që u mohuan nga Arifi.

Shqiprim Arifi dhe Ardita Sinani

Por, Lutfiu ka kërkuar që mospajtimet personale të lihen anash, pasi që pohon se ka një problem më të madh për shqiptarët që jetojnë në Serbi.

“Neve kemi një problem, diskriminimin dhe shtypjen që na bën Serbia dhe fokusi ynë duhet të konsistojë pikërisht në këto tema”, theksoi.

Andaj, shtoi kreu i KKSH-së, “i ftoj pa përjashtim gjithë partitë politike në Luginë të jenë të unifikuar dhe të tërhiqen nga ky diskurs komunikimi që nuk na çon askund!”.

Shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës janë të shtypur sistematikisht nga institucionet e Serbisë.

Madje, atyre nuk iu lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.

Së fundmi një nga çështjet që është ngritur edhe në Senatin amerikan është pasivizimi i adresave që Serbia po i bënë shqiptarëve atje, posaçërisht në Medvegjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore