Lajme

Lushtaku: Qeveria “Zdravo” e ka vendin në Beograd


Deputeti nga radhët e partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, ka thënë se pushtetarët, kriminelin dhe terroristin Milan Radojiçiç e konsiderojnë partner – kjo pas publikimit të audio-incizimeve ku dëgjohet kryeshefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke koordinuar politikat shtetërore me Radojiçiç-in – ndërsa partnerët ndërkombëtarë që ndihmuan në çlirimin e vendit naiv – duke iu referuar deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

“Këto ditë, pushtetarëve u doli në shesh bashkëpunimi i tyre me strukturat kriminale serbe dhe është e natyrshme që të tillët Radojçiç-in e quajnë partner, ndërsa partnerët ndërkombëtar që na ndihmuan në çlirim të vendit i cilësojnë si të padëshirueshëm e naiv”, ka shkruar Lushtaku në “Facebook”.

Nga fëlliqësia që i ka kapluar, pohon ai “manipuluesit janë shfrenuar dhe tentojnë të prodhojnë situata e kriza të ndryshme për ta larguar vëmendjen e popullit nga problemet reale, që nga çmimet e produkteve elementare e deri tek poshtërimi dhe dhunimi i sovranitetit dhe humbja e aleateve strategjik”.

“Pak nga fëlliqësia e tyre u shpërfaq edhe në mëngjesin e sotëm, pasi u arrestuan dy funksionarë të qeverisë zdraVo të dyshuar për korrupsion, e të njëjtëve iu sekuestruan rreth 60 mijë euro”, duke iu referuar arrestim të dy zyrtarëve të VV-së, të cilët dyshohen për korrupsion.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së theksoi se populli i Kosovës do të zgjohet dhe “nuk do ta lejoj zhbërjen e shtetit dhe akomodimin e interesave të Radojçiç-it e (Presidentit të Serbisë, Aleksandër) Vuçiç-it”.

“Qeveria zdraVo e ka vendin ne Beograd”, përfundoi ai.

Ndryshe, në pjesën e tretë të audio-incizimeve të publikuara ku dëgjohet shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, duke komunikuar me përfaqësuesin e Listës Serbe, Slavko Simiç, kryedeputetja e partisë në pushtë ankohet se ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka fryrë listat e vetëranëve.

“Unë kam qenë në tri parlamente… dy, në të vërtetë, dhe në një palë zgjedhje komunale, kur listat e veteranëve kanë qenë disproporcionale…E nëse buxheti që shkon për pagat, pensionet e tyre, tash, të shkonte vetëm për ata që vërtetë kanë luftuar në luftë e tash janë veteran, atëherë ata do të kishin nga 450 apo 500 në muaj”.

Ajo ka folur edhe për deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës – Uran Ismaili, Abelard Tahiri dhe Bekimi Haxhiu. Fillimisht, deputetin Ismalili e ka quajtur “idiot patetik”, kurse më pas Simiçit i tregon se deputeti Tahiri posedon “orë të 30 mijë eurove”.

Teksa protagonistët e audio-incizimeve flasin për Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, deputetja Kusari-Lila e pyet në mënyrë retorike Simiçin se “a e di bre kush është Bekim Haxhiu?”, ngase ky i fundit ka qenë ndër kritikuesit më të mëdhenjë të Qeverisë së Kosovës për këtë çështje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore