Lajme

Lumezi dorëzon detyrën te kryeprokurori Besim Kelmendi


Aleksandër Lumezi gjatë dorëzimit të detyrës tek kryeprokurori Besim Kelmendi.

Kryeprokurori i deritanishëm i Shtetit, Aleksandër Lumezi i ka dorëzuar detyrën ushtruesit të detyrës në këtë pozitë, Besim Kelmendi.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi të KPK-së dërguar mediave.

“Në këtë ceremoni të pranim-dorëzimit, të premten e 22 prillit ka marrë pjesë edhe kryesuesi, zëvendës-kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe ushtruesi i detyrës drejtori i sekretariatit të KPK-së”.

Në njoftim thuhet se, “Lumezi i ka uruar suksese dhe mbarësi Kelmendit në ushtrimin e detyrave kushtetuese dhe ligjore gjatë udhëheqjes së institucionit të Prokurorit të Shtetit”.

Aleksandër Lumezi gjatë dorëzimit të detyrës tek kryeprokurori Besim Kelmendi.

Më 13 prill, këshilltari për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka thënë për Albanian Post se Osmani ka filluar të shqyrtojë dhe analizojë në detaje të gjithë dokumentacionin e pranuar, të gjitha faktet dhe rrethanat që ndërlidhen me procesin e emërimit e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, pasi Këshilli Prokurorial e ka votuar unanimisht Blerim Isufajn për këtë pozitë.

Por, Kupina thotë se presidentja para se të vendos se a do ta dekretojë a jo Isufajn, do të konsultohet me organizatat joqeveritare.

“Presidentja është në komunikim me palët e interesit dhe në ditët ne vijim do të takohet me përfaqësuesit e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes se Kryeprokurorit për të dëgjuar vërejtjet e tyre mbi mbarëvajtjen e këtij procesi”, tha Kupina.

Ndryshe pesë prokurorë kishin aplikuar për pozitën e të parit të Prokurorisë së Shtetit, për të zëvendësuar Aleksandër Lumezin, të cilit i skadon mandati këtë muaj.

Kandidatët e tjerë të cilët kishin aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë: Armend Hamiti, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.

I habitur dhe i zhgënjyer me propozimin e Këshillit Prokurorial të Shtetit për emërimin e Blerim Isufajt, si Kryeprokuror të ri të Shtetit, është shprehur Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore