Sport

Lukaku pritet të mungojë deri në muajin tetor


Gazetat kryesore sportive italiane pretendojnë se lëndimi i Romelu Lukaku-t do të zgjasë deri në fillim të muajit tetor.

Interi konfirmoi të hënën se sulmuesi i tyre kishte pësuar një dëmtim në kofshën e majtë dhe se gjendja e tij do të vlerësohet sërish javën e ardhshme.

Kjo do të thotë se i huazuari i Chelsea-t do të humbasë ndeshjen kundër Cremonese-s, derbin e së shtunës “Della Madonnina” me Milan-in dhe ndeshjen hapëse të zikaltërve në Ligën e Kampionëve me Bayern-in në javën e ardhshme.

Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, sulmuesi belg nuk do të kthehet nga lëndimi para pushimit të ndeshjeve ndërkombëtare të muajit shtator.

Sulmuesi dëshiron të kthehet në fushë sa më shpejt të jetë e mundur dhe e njëjta gjë vlen edhe për Inzaghi-n, por mediat në Itali theksojnë që skenari më i mirë i mundshëm për rikthimin e Lukaku-t, do të ishte në ndeshjen ndaj Udinese-s që do të zhvillohet para ndërprerjes së kampionatit në muajin shtator.

Kujtojmë që belgu u rikthye në huazim te Inter-i nga Chelsea në këtë verë dhe në tri ndeshjet e para të sezonit ka shënuar një gol dhe ka dhuruar një asistim.

Ndeshjet e ardhshme të Interi-t janë kundër Cremonese-s, Milan-it, Bayern-it, Torino-s, Viktoria Plzen dhe Udinese-s.

Nënkampionët e Italisë presin Romën e Jose Mourinho-s në “San Siro” në ndeshjen e parë pas pushimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore