Film

Lufta e Kosovës dhe ndikimi i Tony Blair në bombardimet e NATOS, pjesë e episodit të ri të “The Crown”


Lufta e fundit në Kosovë (1997-1999), është bërë tanimë pjesë e një prej serialeve më të ndjekura në botë – “The Crown”.

Kësisoj, në episodin e gjashtë të sezonit të ri të “The Crown” të titulluar “Ruritania”, aktori Bertie Carvel paraqitet duke portretizuar kryeministrin e asokohshëm të Britanisë së Madhe, Tony Blair.

Rrëfimi i shfaqur në serial paraqet periudhën kur Blair e mbështeti vendimin e NATO-s për nisjen e një fushate ajrore me kohëzgjatje prej 78-ditësh kundër forcave të Republikës Defederale të Jugosllavisë në vitin 1999.

“Milosheviç është një diktator monstruoz, që kryen persekutimin sistematik dhe të dhunshëm të civilëve të pafajshëm. Ju këmbëngulët që Perëndimi të mos qëndrojë më në këmbë derisa të ndodhë gjenocidi dhe masakrat”, dëgjohet mes të tjerash duke u thënë fjalimin e Blairit në serial.

Po ashtu, episodi shoqërohet me pamje reale të incizuara përgjatë luftës së fundit në Kosovë, derisa vihen re edhe persekutimet mizore të shqiptarëve nga forcat serbe si dhe shenjat e gjenocidit që shteti në fjalë kreu në Kosovë përgjatë luftës.

Një detaj tjetër interesant që paraqitet në këtë episod të “The Crown”, është edhe fokusi që regjisorët e serialit i kanë dhënë emërimit të djemve kosovarë pas përfundimit të luftës – ku atyre u jepej emri Toni apo Tonibler, në ndër të veprimtarisë së ish-kryeministrit britanik në të mirë të Kosovës.

Kujtojmë, se “The Crown” është një serial i zhanrit dramë i regjisorit Peter Morgan, dhe është pjesë e e platformës Netflix.

Seriali tregon jetën e Mbretëreshës Elizabeth II nga vitet 1940 deri në kohët moderne, derisa i gjithi fillon me një vështrim të brendshëm të mbretërimit të hershëm të mbretëreshës, që u ngjit në fron në moshën 25-vjeçare pas vdekjes së babait të saj, mbretit George VI.

Me kalimin e dekadave, zbulohen intrigat personale, romancat dhe rivalitetet politike që luajtën një rol të madh në ngjarjet që formësuan vitet e mëvonshme të shekullit të 20-të të kësaj familjeje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore