Sport

Luan Krasniqi ambasador, por i sportit


Luan Krasniqi

Boksieri kosovar, Luan Krasniqi me anë të një postimi në rrjetin e tij social Facebook ka shkruar se emri i tij është përfolur në disa media dhe rrjete sociale si ambasador i mundshëm i Kosovës në Gjermani.

Ai ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se do të mbetet ambasador i sportit edhe më tutje.

“Sot, në shumë portale dhe në disa media elektronike, qenka publikuar një propozim që unë të emërohem ambasador i Republikës së Kosovës në Gjermani”.

“Ju informoj se, unë, tashmë 35 vite, e mbaj me krenari epitetin e ambasadorit sportiv të dhuruar nga aderuesit sportiv dhe me krenari, vendin tim e kam përfaqësuar në sportin e boksit, me të cilin kam përjetuar kënaqësinë duke u ngjitur në piedestalin më të lart të karrierës sportive”.

Ai ka thënë se detyrën e ambasadorit e respekton dhe e vlerëson lartë mirëpo propozimi i dhënë nuk përkon me interesin e tij.

Iniciativën që të jetë ambasador Kransiqi, e quan si iniciativë private.

“Përkundër faktit se detyrën e ambasadorit e çmoj dhe e vlerësoj si tejet të rëndësishme, veçmas të ambasadorit në Gjermaninë mike të Kosovës dhe me vlera të larta demokratike, propozimi  i dhënë nuk përkon me interesimin tim dhe kjo duhet të konsiderohet si inisiativë individuale për të cilën nuk kam qenë fare në dieni”.

Ai ka thënë se do të mbetet i përkushtuar në krijimin e “urave të reja” mes Kosovës dhe shtetit gjerman.

“Unë, mbetem i përkushtuar në vendosjen e urave të reja të miqësisë së Kosovës dhe Gjermanisë duke ndihmuar e mbështetur nisma dhe angazhime për të mirën dhe të mbarën e njerëzve, dhe nuk pretendoj asnjë funksion, detyrë apo emërtim, si ky që është dhënë”.

Krasniqi ka thënë se “Luani, mbetet sportist dhe mik i juaji i mirë” ndërsa ambasadorit të ri të Kosovës në Gjermani i uron suksese kushdo qoftë ai.

Pas shkarkimit të ambasadorëve nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, thuajse shumica e ambasadave kanë mbetur pa ambasador, ndërsa emërimi i tyre pritet të ndodh, mirëpo MPJD ende nuk ka dhënë asnjë informacion se kur do të ndodhë emërimi i tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore