Sport

Llapi mbetet pa kapitenin e tyre, largohet drejt Gjermanisë


Skuadra e Llapit ka mbetur pa kapitenin e tyre, Bujar Idrizin, i cili është larguar nga skuadra, madje siç duket ai i ka dhënë fund karrierës së tij futbollistike.

Me anë të një postimi në Facebook, Idrizi ka thënë se do të largohet nga skuadra llapjani dhe do t’i bashkohet familjes së tij në Gjermani.

“Rrugëtimi im si Kapiten dhe futbollist i skuadrës së zemrës sime, Llapi po përmbyllet pasi jetën do ta vazhdoj jashtë Kosovës dhe do i bashkangjitem familjes sime në Gjermani”, shkruan Idrizi në Facebook.

“Faleminderit qytetit të Podujevës, tifozëve llapjanë ‘Legjendat’ dhe çdo qytetari llapjan që na mbështetën pa rreshtur edhe kur nuk kishim rezultate, suksese e trofe”.

“Jam krenar që si Kapiten i ekipit arritëm të fitojmë dy herë Kupën e Kosovës, një herë Superkupën dhe pas 89 viteve themelim t’ia sigurojmë klubit daljen në arenën ndërkombëtare”.

“Faleminderit mediave, televizioneve dhe gjithë gazetarëve për raportet korrekte që kishim gjatë gjithë kohës”.

“Po largohem me kokën lartë dhe me shpresën se një ditë do ta përfaqësoj sërish ekipin tim të zemrës.

“Mirupafshim dhe faleminderit të gjithëve. Me respekt dhe dashuri, Kapiteni Bujar Idrizi 4”, ishin disa nga fjalët e Idrizit.

Idrizi ishte pjesë e Llapit që katër vite e gjysmë, derisa ishte paraqitur në 151 ndeshje në të gjitha garat, prej të cilave ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhuruar 12 asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore