Përballje

Llapi është fitues i Superkupës së Kosovës


Fituesi i Superkupës së Kosovës në futboll është skuadra e Llapit, e cila mposhti Prishtinën me rezultat 1:3, vetëm pas vzhdimeve, në një ndeshje me shumë emocione.

Njëkohësisht, kjo ishte ndeshja e parë në futbollin kosovar, në të cilën u përdor sistemi VAR.

Ndeshja nisi jo mirë për kampionin në fuqi Prishtinën, të cilët mbetën me një futbollist më pak në fushë që në minutën e 26-të, pasi që Endrit Krasniqi u ndëshkua me karton të kuq, i cili goditi me dorë futbollistin kundërshtar.

Pjesa e parë përfundoi me porta të paprekura, si dhe me pak raste për gol, me Prishtinën e cila mbrohej pasi ishte me një lojtar më pak në fushë.

Edhe fillimi i pjesës së dytë ishte i qetë, ndërsa goli erdhi në minutën e 66-të, përmes nigerianit, Otto John, i cili u gjend më së mirë, pas një gabimi nga mbrojtja e llapjanëve.

Dyja skuadrat u barazuan me futbollistë në fushë, në minutën e 72-të, pasi futbollisti i Llapit, Arbnor Ramadani, u ndëshkua me kartoinin e dytë të verdhë.

Në minutat në vazhdim, prishtinasit kishin disa mundësi shumë të mira për të dyfishuar epërsinë, por nuk e arritën atë.

Pas shumë rasteve të shpërdoruara nga futbollistët bardhekaltër, skuadra e Llapit arriti të barazojë rezultatin në minutën e 86-të, përmes Festim Alidemës, i cili realizoi nga pika e bardhë e penalltisë.

Koha e rregullt përfundoi me rezultat minimal 1:1, derisa në vazhdime Llapi kaloi për herë të parë në epërsi, në minutën e 102-të me golin e realizuar nga Valmir Veliu.

Për Prishtinën gjërat do të vështirësoheshin edhe më shumë pasi që në pjesën e dytë të vazhdimeve portieri Halimi ndërhyri në lojtarin e fundit për të shkaktuar penallti, i cili më pas u përjashtua nga loja.

Alidemaj shënoi përsëri nga penalltia në minutën e 114-të, gol që do t’i jepte fitoren definitive të Llapit në Superkupen e Kosovës.

Derisa, ky ishte trofeu i dytë në historinë e klubit të Llapit, pas Kupës së Kosovës, që e fitoi në sezonin e kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore