Shqipëria

Lista e PD-së, mes të larguarve dhe të rinjve


Listat e dorëzuara mbrëmjen e 8 marsit nga Partia Demokratike ishin sa surprizuese, aq edhe të pritura.

Ndër deputetët e PD-së vetëm 27 kanë arritur t’i mbijetojnë rotacionit politik. Nga figurat e vjetra të politikës nuk mungon as ajo e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Aleatët, si Vangjel Dule, Shpëtim Idrizi, Dashamir Shehi janë në listat e Tiranës, por në krahasim me vitin 2017, ku ata ishin pjesë e PD-së, tanimë janë si aleatë.

Në Tiranë, Partia Demokratike ka në listë emra “të konsumuara” në politikë, të njohura për popullin, si Lulzim Basha në krye të listës, Jorida Tabaku, Grida Duma, Sali Berisha.

Pjesë e listës së Tiranës janë aleatët e Partisë Demokratike, të cilët kanë arritur marrëveshje për të kandiduar me sloganin “Shqipëria Fiton”.

Të larguarit

Në figurat e konfirmuara, të larguarit janë Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi, të cilët në këto zgjedhje janë kandidatë të partive të reja, ose siç quhet ndryshe opozita e re.

Figurë e rëndësishme e PD-së, jo kandidat në këto zgjedhje, është edhe Genc Pollo.

Ndërsa Eduard Halimi, ish-deputeti, i cili ka refuzuar të jetë në radhët e deputetëve, është caktuar si koordinator politik i zgjedhjeve.

Të rinjtë

Lista e publikuar ka në përmbajtje emra të rinj, të cilët do të jenë në kandidaturat e partisë.

Në qarkun e Lezhës, Mark Marku dhe Agron Gjekmarkaj, janë dy gazetarë që kryesojnë listën e PD-së. Gjekmarkaj është një figurë aktive në mediat shqiptare, si analist, publicist.

Nuk mungojnë as emrat e Belind Këlliçit dhe Ori Nebiaj në Tiranë, Ina Zhupës në Vlorë, Tomorr Alizotit, i cili është i pari në listën e qarkut Berat.

Flutura Açka, e njohur si poete, shkrimtare, është e dyta në listë për qarkun e Elbasanit.

Vlora kryesohet nga një figurë e rikthyer në PD, si Bujar Leskaj, i cili ka shërbyer si kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Një emër që bie në sy është Ervin Salianji, në listën e Korçës. Pavarësisht skualifikimit, ai po garon në garën për deputet.

Surprizë e momenteve të fundit është Luçiano Boçi, i cili u konfirmua pas mesnatës, i renditur i shtati në Elbasan.

Tirana është qarku me figurat më të spikatura. Kryedemokrati Basha është i pari në listën e këtij qarku. Siç është shprehur edhe më parë, do të kandidojë në vendin ku është bërë për herë të parë deputet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore