Shqipëria

Lindshmëria në rënie, Gjirokastra vijon me numrin më të ulët të lindjeve


Për tremujorin e parë të vitit 2022, numri i lindjeve dhe i vdekjeve ka pësuar rënie.

Krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, rënia llogaritet me 4,2 %, ndryshe 6 mijë e 56 lindje.

Kurse, numri i vdekjeve është 7 mijë e 938. Po ashtu, duke shënuar një rënie prej 22,3 %, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021.

Sakaq, shtesa natyrore e popullsisë në tremujorin e parë të vitit 2022 tregon se janë 1 mijë e 882 vdekje më shumë se sa lindje.

Shtesa natyrore e popullsisë

Referuar një raporti të fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në tremujorin e parë të këtij viti, dy qarqe të vendit kanë shënuar shtesë natyrore pozitive të popullsisë.

Ndërsa, në dhjetë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative.

Qarku, me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 203 lindje më shumë se sa vdekje, kurse qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 379 vdekje më shumë se sa lindje.

Lindjet, vdekjet dhe shtesa natyrore sipas qarqeve, T1–2022**
Lindjet

Katër qarqe të vendit, në tremujorin e parë të vitit 2022, shënojnë rritje të numrit të lindjeve, në krahasim me tremujorin e parë 2021.

Ndërkohë, tetë qarqe të tjera shënojnë ulje, në krahasim me të njëjtën periudhë.

Qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana, me 2 mijë e 194 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 106 lindje.

Rritjen më të lartë në përqindje të lindjeve gjatë tremujorit të parë të vitit 2022 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 e zë Qarku i Vlorës me 7,9 %.

Nga ana tjetër, rënien më të madhe e ka Qarku i Dibrës me 22,0 %.

Lindjet sipas qarqeve
Vdekjet

Në krahasim me tremujorin e parë të vitit pararendës, të gjitha qarqet e vendit shënojnë ulje të numrit të vdekjeve.

Qarku me numrin më të ulët të vdekjeve është Kukësi me 146 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana me 1 mijë e 991 vdekje.

Uljen më të madhe në përqindje të vdekjeve gjatë tremujorit të parë të vitit 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë pararendëse, e zë Qarku i Vlorës me rënie prej 30,1 %.

Vdekjet sipas qarqeve

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore