Shqipëria

Linda Rama nuk i mbyll derën angazhimit si politikane: “Kurrë mos thuaj kurrë”


Bashkëshortja e kryeministrit shqiptar, Linda Rama nuk i ka mbyllur derën një të ardhmeje të mundshme si politikane.

“Një fjalë dhe këshillë e mençur thotë kurrë mos thuaj kurrë, sepse jeta është ajo që ndodh kur jemi duke bërë plane të tjera. Por, besoj që i kam dhënë politikës dhe publikes gjithçka kam mundur si profesioniste, qytetare dhe si bashkëshorte e Edit”, deklaroi ajo gjatë intervistës ekskluzive për Albanian Post.

Sipas saj, si politika ashtu dhe administrimi i lartë publik nëse nuk janë ëndërr, pasion, vokacion i brendshëm për një qëllim të lartë, investim i përditshëm tek njerëzit dhe për njerëzit mund të ndodhi që fati ta sjellë që të gjendesh në majë e të mos dish ç’të bësh, mos të dish si të veprosh apo edhe më keq, të sillesh gabim me të.

“I kam dhënë e pakursyer pasionin, besimin, mbështetjen, kritikën, inspirimin, vëmendjen, kundërshtinë, rezistencën, mirëkuptimin, durimin dhe shpresën. Shumë intensivisht dhe shumë posaçërisht”, shtoi ajo.

Linda Rama u shpreh se ndërkohë ruan të njëjtin pasion për tryezën besnike të punës së saj me të cilën është e lidhur pandashmërisht dhe dëshirën që çdo minutë t’ia dedikojë Zahos dhe familjes.

Një mesazh ajo e pati edhe për burrat dhe gratë të angazhuar në politikë.

“Meritokracia, integriteti në kuptimin e plotë të tij, aftësia për të mos ndrydhur, por për të frymëzuar armatën e madhe të punonjësve publikë dhe njerëzit e zakonshëm, ndjenja e misionit dhe ndjeshmëria ndaj shqetësimeve të njerëzve, mbeten qëllimet për t’u arritur qoftë nga burrat, qoftë nga gratë në politikë apo institucione dhe, si të tilla, ato duhet të jenë edhe të vetmet kritere vlerësuese të pashmangshme, si për burrat, edhe për gratë”, ravijëzoi në përmbyllje Rama.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë të Linda Ramës për Albanian Post

Linda Rama, distanca higjenike nga fuqia e së keqes dhe mungesa e ndërgjegjjes

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore