Shqipëria

“Linda.al”, bashkëshortja e kryeministrit zbulon sekretin pas kësaj nisme


Puna e saj e përditshme ndër vite e ka prezantuar me shumë njerëz të aftë, profesionistë të zotë, e pasionantë të mëdhenj.

Kudo, në të gjithë Shqipërinë.

“Teksa po finalizohej linda.al më shfaqej si ëndërr e bukur dëshira që në një moment, të mund të shfaqeshin të gjithë profesionistët shqiptarë në dritaren e tyre digjitale”, tregon fillimisht Linda Rama gjatë intervistës ekskluzive për Albanian Post.

Bëhet fjalë për një ushtri të vërtetë, shton ajo, me ekonomistë, gjeologë, agronomë, arkitektë, ndërtues, teknikë, elektronistë, mjekë, inxhinierë, bankierë, historianë, linguistë, filozofë, psikologë, juristë, artistë, punonjës socialë, fizicienë, matematicienë e shumë e shumë të tjerë, të të gjitha moshave.

“Fakti që linda.al i ka bërë të ndjehen mirë vizitorët e saj më gëzon vërtetë”, nuk ngurron të thotë bashkëshortja e kryeministrit shqiptar.

Sipas Ramës, këta të fundit do të na kujtonin edhe se sa e rëndësishme është që shteti dhe privati të kujdeset për t’i krijuar kësaj armate hapësirat dhe kushtet për t’u dëgjuar dhe për t’u motivuar për të dhënë më të mirën e tyre.

“Nuk mund të presim që të bjerë tërmeti që të dëgjojmë dhe vlerësojmë inxhinierin, të na mbulojë pandemia që të dëgjojmë nga mjeku dhe infermieri, të sulmohemi nga krimi digjital që të kërkojmë informaticienët, apo të tronditemi nga financat që të dëgjojmë ekonomistët”, thekson ajo për AP-në.

Linda Rama sjell në vëmendje se ka shumë lajme për largimet nga vendi, por asnjë të vetme për suksesin dhe jetën që këta njerëz ndërtojnë në vendin e tyre.

Ndaj ajo mendon se kujdesi ndaj armatës së profesionistëve dhe njerëzve te thjeshtë të punës në Shqipëri është “i rëndësisë të dorës së parë”.

“T’i motivojmë e vlerësojmë, pasi vetëm kështu shoqëria do të jetë më e paqtuar, më e shëndetshme dhe shpresëplotë. Vetëm kështu përfitimi do të jetë reciprok, ata nga shoqëria dhe shoqëria nga ata”, shteron bashkëshortja e kryeministrit shqiptar.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë të Linda Ramës për Albanian Post

Linda Rama, distanca higjenike nga fuqia e së keqes dhe mungesa e ndërgjegjjes

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore