Lajme

Ligji për Këshillin Prokurorial, Kurti me ‘playbook’-un e Orban-it


Ilustrim

Aktualisht Këshilli Prokurorial i Kosovës, institucioni që, pos tjerash, edhe e propozon kryeprokurorin e shtetit, i ka 11 anëtarë. Qeveria e ka votuar një projektligj ku numri i tyre shtohet në 19. Të gjithë këta që do shtohen, sipas këtij projektligji, do të votohen në Kuvend, rrjedhimisht, do të krijohet mundësia që të gjithë këta të kontrollohen nga Qeveria. Në këtë mënyrë, Qeveria do të mund ta kontrollonte shumicën në KPK dhe përfundimisht t’ia hiqte pavarësinë, duke prishur balancin e pushtetit përmes mjeteve “demokratike”. Kur të bëhet kjo, se kush do të jetë kryeprokuror i shtetit do të kontrollohet krejtësisht nga personi që udhëheqë me qeverinë dhe e ka shumicën në parlament.

_

Në librin “Si Vdesin Demokracitë”, profesorët e universitetet të Harvardit, Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt, kanë argumentuar me referenca historike se si shumë liderë me karakteristika autoritare për gjatë viteve kanë tentuar të përmbysin rendin demokratik në shtetet e tyre.

Disa nga liderët, sipas Levitsky e Ziblatt, kanë shkaktuar erozione me një sulm të vetëm, e të tjerë sulmin ndaj demokracisë e kanë zhvilluar ngadalë, që për shumë qytetarë fenomeni ka qenë i padukshëm.

Për të kuptuar më mirë se si liderët e zgjedhur minojnë, në mënyrë të fshehur, institucionet demokratike, ligjëruesit në Harvard vënë në pah faktin se shtetarët gjithmonë fokusohen të kenë arbitrin në anën e tyre.

Edhe pse, në shtetet moderne e demokratike funksionojnë agjenci të ndryshme të pavarura, të cilat kanë autoritetin të hetojnë dhe dënojnë punët e bëra gabim, si nga zyrtarët e zgjedhur, ashtu edhe nga qytetarët privatë, për liderët me tendenca autoritare, gjyqësori dhe organet e zbatimit të ligjit paraqesin sa sfidë, po aq edhe mundësi.

Nëse këto institucione, argumentojnë Levitsky e Ziblatt, mbesin të pavarura, mund t’i hapin probleme qeverisë dhe të shërbejnë si mjet për ndëshkimin e abuzimeve të kryera, prandaj autoritratë përmes vetë veglave të demokracisë e minojnë atë, duke krijuar mundësinë e kontrollimit të arbitrit.

Ligji, në dukje, zbatohet, por në mënyrë selektive.

Si arrihet kapja e arbitrave pa bërë shumë zhurmë?

Shembulli më eklatant, sipas Levitsky e Ziblatt, është Hungaria e Viktor Orban.

Në pamundësi për të larguar gjykatësit e pavarur, Orbani, përmes fizkulturave ligjore ka zgjeruar numrin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga tetë në 15 duke ndryshuar kështu rregullat e nominimit të tyre.

Me këtë strategji politike, vlerësojnë profesorët universitarë, partia në pushtet Fidesz, arriti të emëronte, e vetme, gjykatësit e rinj, të gjithë besnikë të kësaj partie.

Atë që e ka bërë Orban shumë vite më parë, po përsëritet edhe në Kosovë.

Kuvendi i Kosovës, të enjten, me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratoi në parim Projektligjin për Këshillin Prokurorial – i dyti me radhë, meqë i pari u kontestua fillimisht nga Komisioni i Venecias dhe më pastaj edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Qeveria e Kosovës, me Projektligjin e dytë për Këshillin Prokurorial, po synon krijimin e shumicës për të emëruar kryeprokurorin që do t’i “shërbejë” Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas ndryshimeve të reja në Projektligj, KPK, do të ketë 19 anëtarë deri më 11 janar 2026. Aktualisht i ka 11-të.

Cka nënkupton rritja e anëtarëve?

Përmes projektligjit të ri, në një periudhë tranzicionale, KPK-së do t’i shtohen edhe tetë anëtarë jo-prokurorë. Pesë prej të cilëve zgjedhen nga Kuvendi.

Dy të tjerë zgjedhen në bazë të katër nominimeve që pranohen nga Avokati i Popullit për përfaqësues nga radhët e anëtarëve të organizatave të shoqërisë civile, por edhe këta duhet të votohen në Kuvend.

Ndërsa një pozitë rezervohet për profesorët universitar të drejtësisë.

Sa i përket kuorumit deri më 11 janar të vitit 2026, sipas projektligjit në fjalë, kuorumi i Këshillit formohet me gjysmën e anëtarëve të zgjedhur të Këshillit.

Në rast se të gjithë anëtarët e Këshillit zgjedhën, kuorumi formohet me 12 anëtarë.

Shumë organizata jo-qeveritare e analistë të ndryshëm politikë kanë vlerësuar se dispozitat në fjalë të këtij projektligji nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Meqë, sipas tyre, rritja e numrit të anëtarëve të KPK-së në 19, tetë prej të cilëve do të zgjedhen me një shumicë të thjeshtë nga Kuvendi, dhe rregulla se kuorumi në KPK mund të krijohet vetëm edhe me pjesëmarrjen e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi është politizim i skajshëm i këtij institucioni të pavarur.

Secila Qeveri, supozohet se e ka edhe shumicën parlamentare në Kuvend, si rrjedhojë, secila Qeveri, përmes Kuvendit, do të ketë mundësi që pa asnjë konsensus politik të zgjedhë anëtarët e KPK-së.

Kuorumi në KPK do të varet pikërisht nga këta anëtarë.

Prandaj, objektivisht, KPK do të jetë krejtësisht e politizuar dhe në funksion të qeverisë.

Një praktikë e tillë me numër kaq të madh të anëtarëve të KPK-së, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi dhe Lëvizjes FOL, nuk është hasur as në vendet e rajoni.

Kjo zgjidhje, sipas tyre, nuk ishte përkrahur as nga ana e Komisionit të Venecias.

Me këtë përbërje, sipas IKD-së, prokurorët nuk do ta kishin shumicën në KPK, por se këtë shumicë do ta kishte Kuvendi.

Përveç kësaj, Komisioni i Venecias kishte rekomanduar se 19 anëtarë do të ishte shumë pasi nuk ka prokurorë aq shumë Kosova.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore