Lajme

Liderët e BE-së do të kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit


Përfaqesuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak në Ohër.

Marrëveshja e Ohrit do të jetë në rend dite në samitin e Bashkimit Evropian që do të zhvillohet këtë të enjte dhe të premte në Bruksel.

Kjo është bërë e ditur në draftin e konkluzave nga samiti i BE-së dhe në të gjendet edhe paragrafi në të cilin përshëndetet arritja e marrëveshjes në Ohër.

“Këshilli Evropian mirëpret marrëveshjen e arritur në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për aneksin e implementimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe u bën ftesë të dyja palëve që në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim, të implementojnë obligimet e tyre përkatëse”, përmendet në draft të raportit të Radio Evropës së Lirë.

Burimet diplomatike në Bruksel, kanë thënë se disa shtete kanë ftuar që të ketë “kujdes të shtuar“ nga ana e BE-së në mënyrë që të sigurohet zbatimi i plotë i të gjitha pikave të marrëveshjes

Por gjithashtu, që të mos lejohet devijimi nga obligimet për asnjërën palë.

Krerëve të shteteve anëtare të BE-së, do t’iu raportojë në këtë temë edhe kryediplomati i bllokut evropian, Josep Borell.

Gjithashtu ai ka raportuar për këtë çështje edhe të hënën para ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare.

“Marrëveshja nuk u nënshkrua për arsye ligjore, por të dyja palët ranë dakord që deklarata ime (pas takimit të Ohrit) përfaqëson një angazhim për të dyja palët që të angazhohen plotësisht ndaj detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje dhe zbatimi i saj”, u shpreh Borrell pas takimit të ministrave të punëve të Jashtëm të vendeve të BE-së.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia u pajtuan më 18 mars, në Ohër, që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Tani Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat.

Në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore