Lajme

Borrell: Në Ohër, marrëveshja nuk është nënshkruar për arsye ligjore, por është ligjërisht e detyrueshme


Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimi Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, është shprehur se aneksi për planin e zbatimit të marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e arritur në takimin në Ohër të Maqedonisë së Veriut “u bë ligjërisht e detyrueshme në momentin që Bashkimi Evropian doli me njoftimin”.

“Marrëveshja nuk u nënshkrua për arsye ligjore, por të dyja palët ranë dakord që deklarata ime (pas takimit të Ohrit) përfaqëson një angazhim për të dyja palët që të angazhohen plotësisht ndaj detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje dhe zbatimi i saj”, u shpreh Borrell pas takimit të ministrave të punëve të Jashtëm të vendeve të BE-së.

Tutje, ai shtoi se ky është një moment historik i rëndësishëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, i cili krijon një “status quo të re në dialog”, raporton Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.

“Ne do të përcjellim implementimin e marrëveshjeve. Shtetet anëtare e kanë shprehur përkrahjen”, shtoi Borrell.

Ndërkaq, diplomati spanjoll potencoi se zbatimi i aneksit të dakorduar në Ohër, ka disa gjëra që duhet të “zbatohen urgjentisht”, dhe vazhdoi “disa janë shumë urgjente”

“E thashë shumë qartë në aneks, thuhet se Kosova është e përkushtuar që menjëherë të krijojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ka disa përkushtime që do të monitorojmë nga afër se si palët i plotësojnë. Gjitha janë pjesë integrale e asaj që është arritur”.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia u pajtuan më 18 mars, në Ohër, që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Tani Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat.

Në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore