Kosova

Liberalizimi i vizave për Kosovën s’përmendet në konkluzionet e Këshillit Evropian


Ilustrim

Zëdhënësi i Këshillit Evorpian, Barend Leyts, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Twitter, ka treguar se cilat janë përfundimet e nxjerra për Ballkanin Perëndimor në Samitin e Bashkimit Evropian, të mbajtur këtë të enjte në Bruksel.

Në këto konkluzione, nuk përmendet fare liberalizimi i vizave për Kosovën, por vetëm bëhet fjalë për zgjidhjen dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

“Këshilli Evropian rikonfirmon urgjencën e arritjes së përparimit të prekshëm në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe rajonale, veçanërisht dialogun Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në konkluzionin përfundimtar për Kosovën.

Teksa, në pikën e parë të këtyre konkluzioneve, thuhet se Bashkimi Evropian shpreh angazhimin e tij të plotë dhe të qartë për perspektiven e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Ndryshe kryeministri i Holandës, Mark Rutte, shtetari i njërës prej vendeve që është skeptik për të lejuar lëvizje e lirë të qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen, ka pasur sërish dilema nëse duhet të ndodhë apo jo liberalizimi i vizave.

Për të në samitin në mes të Bashkimit Evropian dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, ka pasur një progres në këtë drejtim, por jo mjaftueshëm sa të përfundojë me sukses procesi i liberalizimit për Kosovën, ndonëse kjo e fundit para 4 viteve ka arritur të përmbushë të gjitha kriteret lidhur me procesin në fjalë.

“Sa i përket Kosovës ka më shumë progres drejt liberalizimit të vizave, mendoj se ata po bëjnë hapat e duhur, por akoma nuk është liberalizuar”, tha Rutte.

Megjithatë, sipas tij shumë shpejt edhe mund të ketë dritë në fund të tunelit për sa i përket liberalizimit.

“Shpresoj që më vonë gjatë këtij viti ose vitin tjetër do të bëhet edhe liberalizimi i vizave për Kosovën. Ata kanë bërë shumë në sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit”.

Në anën tjetër presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar për media pas takimit të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor.

“Kemi dëgjuar shumë deklarata përkrahëse për Kosovën, për perspektivën evropiane të saj, për liberalizimin e vizave, e treta për rreshtimin e plotë të Kosovës me BE-në sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë”, ka deklaruar Osmani.

Megjithatë, ajo, përtej deklaratave, ka kërkuar “hapa konkret”.

“Ne e kuptojmë se votim nuk do të bëhet në këtë format, sidoqoftë besoj se deklarimet politike të shumicës që janë bërë sot në mbështetje të Kosovës tani duhet të kthehen në veprime konkrete dhe në votë në Këshillin e Ministrave”.

Gjithsesi, presidentja shtoi se “këto kanë qenë deklaratat më pozitive që i kemi dëgjuar deri më tani për liberalizimin e vizave. Edhe shtetet që kanë qenë hezituese, shumë prej tyre kanë treguar mbështetje sot”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore