Sport

Lewandowski: Me Barcelonën do fitojmë shumë tituj


Barcelona nuk nisi në mënyrën me të mirë të mundshme sezonin e ri në La Liga, duke barazuar pa gola në ndeshjen e parë ndaj Rayo Vallecano-s.

Mirëpo, pavarësisht këtij starti jo aq të mirë, sulmuesi i tyre, Robert Lewandowski është optimist për të ardhmen.

Në një intervistë të dhënë për mediat spanjolle, ish-sulmuesi i Bayern Munich-ut shpreson që me fanellën e Barçës të fitojë shumë tituj.

“Unë mendoj se ka kaluar shumë kohë për Barcelonën pa fituar tituj, jam i sigurt që kjo do të kalojë dhe do të fitojmë shumë tituj së bashku”, tha Lewandowski.

33-vjeçari më pas tregoi edhe momentin kur kuptoi që Barcelona interesohej për të.

“Kur zbulova për herë të parë se Barcelona ishte e interesuar të më sillte në klub, gjithmonë mendoja se ishte momenti perfekt, për mua dhe për klubin”.

“Nuk doja të luaja gjithë jetën time vetëm në një ligë. Gjithçka shkoi mirë në Bundesliga me Bayern-in, ishte një përvojë e mirë për mua, por e dija se do ishte një hap i madh në karrierën time që të vazhdoja në La Liga”, shtoi polaku.

“Është momenti perfekt për mua dhe është një sfidë e madhe. Unë jam gati. Gjithmonë kam dashur të luaj në La Liga dhe tani jam këtu në Barcelonë dhe jam shumë i lumtur. Shpresoj se të mundemi t’i bëjmë tifozët të lumtur”, tha mes tjerash Lewa.

Kujtojmë që Lewandowski shumicën e karrierës së tij e kaloi në futbollin gjerman, fillimisht te Borussia Dortmund-i e më pas edhe te Bayern Munich-u.

Në Dortmund Leëa luajti për katër sezone duke shënuar 103 gola në 187 paraqitje. Ndërsa me Bayern-in sulmuesi i Polonisë realizoi 344 gola në 375 ndeshje në të gjitha garat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore