Lajme

“Lëvizja Kombëtare Serbe”, ish-kryetari i Graçanicës me nismë të re politike për serbët nga Kosova


Ish-kryetar i komunës së Graçanicës, Branimir Stojanoviç, ka njoftuar se është duke punuar në formimin e një nisme të re politike të serbëve nga Kosova me emrin “Lëvizja Kombëtare Serbe”.

Më 1 dhjetor ai publikoi formularin e aplikimit për t’iu bashkuar kësaj nisme të re.

“Të dashur miq, nga sot fillojmë të regjistrojmë në regjistër ata që duan të mbështesin themelimin dhe punën e Lëvizjes Kombëtare Serbe. Në këtë kaos dhe çmenduri që po na çon drejt emigrimit, është koha të marrim përgjegjësinë për jetën tonë dhe të sigurohemi që të ruhen interesat tona kombëtare”, ka shkruar ai në Facebook më 1 dhjetor.

Stojanoviç deklaron se baza e të dhënave do të “ruhet rreptësishtë” dhe se tani për tani vetëm ai do të ketë qasje.

Ai theksoi për RTV Kim se është i kënaqur me përgjigjen dhe se së shpejti do e bëj publik numrin e anëtarëve të kësaj organizate.

“Vlerësimi ynë është se nuk është taktikisht e mençur në këtë moment. Ne e dimë se një portret i tillë i njerëzve do të kërcënonte ekzistencën e tyre”, tha Stojanoviç për RTV Kim.

Ai përkujton se lëvizja e tij ka lindur në kushte shumë specifike, ndërsa në anën tjetër ka presion të madh nga institucionet dhe Lista Serbe ndaj të gjithë atyre që mendojnë ndryshe.

“Është shumë e vështirë në këto kushte të punosh pa u shqetësuar në mënyrë që njerëzit të kenë lirinë për ta bërë këtë, por përsëri një numër njerëzish do të guxojnë patjetër dhe ne do të krijojmë atë organizatë që do të punojë në kushte mjaft specifike”, shtoi ai.

Detajet për formimin e grupit të qytetarëve, programin dhe personat që do ta përbëjnë, sipas tij, do të bëhen të ditura në mes të janarit të vitit të ardhshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore