Sport

Leverkusen-i, gati ofertën për mbrojtësin e Gjermanisë


Pasi nuk mundi të siguronte shërbimet e Kristoffer Ajer-it, Bayer Leverkusen-i ka kthyer vëmendjen nga Matthias Ginter-i i Borussia Monchengladbach-ut.

Sipas gjermanes “Sport Bild”, “Aspirinat” po bëhen gati për të paraqitur një ofertë për qendërmbrojtësin e Kombëtares gjermane.

Oferta për Ginter-in pritet të jetë rreth 20 milionë euro, sipas raportimeve të “Sport Bild”. Leverkusen-i po kërkon të përforcojë mbrojtjen pas largimit të Aleksandar Dragoviç-it dhe pensionimit të Sven Bender-it.

Përveç kësaj, pritet që edhe Tin Jedvaj të largohet në drejtim të Locomotiv Moscow-s, ndërsa Edmond Tapsoba do të humbasë fillimin e sezonit për shkak dëmtimi.

Ajer-i ishte zgjedhja e parë e Leverkusen-it, por ai ka vendosur të largohet nga Celtic-u në drejtim të Brentford-it në Premier League.

Ginter-i përfundon kontratën me Gladbach-un vitin e ardhshëm dhe ai ka zbuluar se klubi nuk i ka ofruar ende rinovimin.

Gladbach-u pagoi 17 milionë euro në vitin 2017 te Borussia Dortmund-it për të marrë shërbimet e Ginter-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore