Libra

‘Letërsia nga burgu’, monografia e Bajram Kosumit


“Letërsia nga burgu, është trajtesa e parë e përgjithshme teorike për këtë letërsi të veçantë në kulturën shqiptare”, shkruhet që në hyrje të saj. Libri i Bajram Kosumit u promovua të martën e 13 prillit, në sallën “UNESCO” të Muzeut Historik Kombëtar.

Ky aktivitet u organizua, në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi”, Tiranë, Muzeun Historik Kombëtar dhe Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Bajram Kosumi është autori që risjell në vëmendjen e letërsisë dhe historiografisë shqipe  trajtesën e burgut politik, burgut fizik, burgut shpirtëror, nga burgu.

Libri përmban analiza të teksteve të poetëve dhe shkrimtarëve shqiptarë, që shkruan në burgje. Në fjalën e panelit u mbajtën diskutime dhe ligjërata nga studiues të ndryshëm nga Kosova dhe Shqipëria, ndër të cilët mund të përmendim: Dorian Koçin, Behar Gjokën, Lili Sulën, Flamur Malokun, Aleksandër Çipën, si dhe vetë autorin e librit, Bajram Kosumin.

Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, e vuri theksin në rëndësinë e veçantë që mbart në memorien historike dhe kombëtare ky lloj zhanri letrar, në forcimin dhe tejçimin e memories historike.

Autori i librit “Letërsia nga Burgu”, Bajram Kosumi, ndër të tjera tha: “Është një kënaqësi e veçantë të jem këtu, në këtë promovim, duke ndarë përshtypje dhe opinione të ndryshme për këtë lloj zhanri të veçantë letërsie”.

“Esenca e librit është konfirmimi i një fakti letrar dhe konfirmimi i një vlere letrare. Kjo letërsi ka një vlerë të çmueshme letrare dhe e pasuron denjësisht letërsinë shqipe”.

Kjo përgjigje mund të jetë me pikëpyetje, jam i vetëdijshëm, shkruan Kosumi, sepse letërsia nga burgu ende nuk është studiuar sa duhet, ende kundrohet dhe lexohet nën trysninë e faktorëve jashtë letrarë, sidomos nën ndikimin e faktorëve politikë dhe kopilëve të saj, si urrejtja, armiqësia, hakmarrja etj.

Vetëm kur të kenë pushuar emocionet politike, vetëm kur të ketë pushuar lufta e klasave dhe dysia patriot-tradhtar dhe kur kjo letërsi të pranohet vetëm si fakt letrar, do të kuptohet vlera e vërtetë letrare, kulturore e filozofike e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore