Sport

Lejohen 1 mijë tifozë në finale, radhë e gjatë para dyqanit të FSHF-së


Federeta Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur që në finalen e kupës së Shqipërisë, Vllaznia – Skënderbeu, do të jenë 1 mijë tifozë.

FSHF ka nxituar për të nxjerrë biletat në treg, të cilat janë në shitje nga ora 14:30 pranë dyqanit të FSHF-së në Tiranë.

Normalisht, kthimi pas një kohe të gjatë i ka entuziasmuar tifozët e futbollit, sidomos të shkodranëve dhe korçarëve.

 

Para dyqanit të FSHF-së, ishte një radhë e konsiderueshme e tifozëve që me padurim prisnin të siguronin biletat e tyre.

Derisa ishte duke pritur në radhë për të siguruar një biletë, një tifozë i Skënderbeut për Albanianpost tha që “është shumë i entuziazmuar që do të jetë në tribuna për ndeshjen më të rëndësishme të sezonit për Skënderbeun”.

Ai u shpreh i pakënaqur me lajmërimin e vonshëm që u bë nga FSHF.

“Lajmëruan shumë vonë, shpresoj që nuk do të ketë tifozë që mbetet pa biletë, sepse është mëkat që të humbësh këtë mundësi për çështje teknike, edhe pse numri i biletave është shumë i limituar”.

Një tjetër, ky tifozë i skuadrës kuqeblu i Vllaznisë, për këtë çështje tha që nuk kanë faj nga FSHF.

“Ministria e shëndetësisë duhej të mendonte më parë për këtë, jo ditën e ndeshjes. FSHF komunikoi vonë, por kjo erdhi si pasojë i lejës që erdhi shumë vonë nga Ministria”.

Mirëpo, mbi të gjitha, ai falënderoi Federatën që me të gjitha forcat u mundua për të siguruar një ngjyrë tjetër për finalen.

“Falënderoj FSHF-në, ajo nuk na bëri nderë vetëm neve, por edhe skuadrave, të cilave iu dha edhe një shtysë më tepër për të ofruar një super ndeshje në një super finale”.

Tifozi shkodran shprehet shumë i lumtur për rikthimin dhe i sigurt që Vllaznia do të ngre trofeun në qiell.

“Jam shumë i lumtur për rikthimin, sidomos pasi që do të jetë rikthim me trofe”.

Burime afër biletarisë të FSHF-së bëjnë të ditur që shitja do të vazhdojë deri pak momente para ndeshjes.

“Po, interesimi është i lartë, do të bëjmë të pamundurën që të sigurojmë bileta për të gjithë. Shitja do të mbetet e hapur deri pak momente para ndeshjes”.

Vllaznia dhe Skënderbeu përballen për trofeun e Kupës së Shqipërisë, me fillim në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore