Lajme

Le Pen është gati të bashkëpunojë me Rusinë pas luftës në Ukrainë


Kandidatja e ekstremit të djathtë për Presidencën franceze, Marine Le Pen, ka zbuluar se nëse do të ishte presidente, do të bashkëpunonte me Rusinë pas luftës në Ukrainë.

Kjo, për t’u siguruar që Moska të mos krijojë një aleancë me Pekin-in.

Lajmin e bën të ditur kompania e gazetarisë “Politico”, përcjell Albanian Post.

Le Pen, e cila do të përballet me presidentin aktual Emmanuel Macron në raundin e dytë të zgjedhjeve të dielën, thotë se ajo mban anën e Ukrainës në luftë.

“Do të jetë e nevojshme diplomatikisht, kur të përfundojë lufta, kur të nënshkruhet traktati i paqes, të përpiqemi të shmangim këtë lidhje, e cila mund të bëhet rreziku më i madh për ne në shekullin 21-të”, u shpreh Le Pen për një aleancë të mundshme mes Rusisë dhe Kinës.

Liderja e së djathtës ekstreme franceze ka dashur prej kohësh që Franca dhe Evropa të bashkohen me Rusinë e Putin-it.

Në vitin 2011, ajo i tha të përditshmes ruse “Kommersant” se Franca dhe Rusia kishin “interesa të përbashkëta civilizuese dhe strategjike”.

Le Pen theksoi edhe dëshirën për t’u larguar nga struktura e integruar komanduese e NATO-s.

Kandidatja për presidente gjithashtu vazhdon të mbrojë aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia.

“Krimea nuk është kapur kurrë – ka pasur një referendum në Krime”, vërejti Le Pen në një intervistë, duke e quajtur pushtimin e Krimesë në vitin 2014 “radikalisht të ndryshëm” nga pushtimi aktual rus i Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore