Lajme

LDK: Shantazhuese dhe e ngutshme, nisma e Vetëvendosjes


Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së

Të ngutshme dhe shantazhuese e ka cilësuar Lidhja Demokratike e Kosovës nismën e befasishme të Lëvizjes Vetëvendosje për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet.

LDK “e konsideron absolutisht të ngutshëm vendimin për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, marrë parasysh faktin që Kosova sapo ka kaluar këtë proces dhe sapo ka konstituuar legjislaturën e re”, thuhet në reagimin e partisë, publikuar dhe në faqen zyrtare në Facebook.

Ndryshimi i ligjit si bazë e ka mundësimin që qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit të mund të votojnë nëpër ambasadat e shtetit në vendet ku jetojnë.

Në komunikatën e LDK-së thuhet se e vlerësojnë “lart kontributin e mërgimtarëve”, prandaj një ligj kaq i rëndësishëm “nuk guxon të shndërrohet në mjet shantazhi politik të brendshëm”.

“LDK e vlerëson të ngutshëm dhe shantazhues veprimin e sotëm për ta sjellë në votim pa një dakordim paraprak, pa në diskutim adekuat dhe pa një debat të gjerë, njërin ndër ligjet më të rëndësishme në Republikën e Kosovës”.

“Përpjekja për procedim të jashtëzakonshëm të Ligjit të Zgjedhjeve, në seanca të jashtëzakonshme dhe atë para formimit të institucioneve, nuk është as nismë me substancë e as nismë qëllim-mirë; por, është shantazh i pushtetit. Është shantazh mbi arrogancën e numrave, në vend të stabilitetit politik, i cili i kontribuon tërësisht mosbesimit, sjelljes jokorrekte dhe jostabilitetit”, thuhet në komunikatë.

Sipas LDK-së, sjellja e VV-së do të duhej të ishte krejtësisht e ndryshme.

“Do të duhej që gjithë energjinë e vet ta drejtojë tek zgjerimi i konsensusit; sidomos kur një koncensus i tillë ishte i mundshëm”.

“Në vend të adresimit të problemeve jetike për vendin tonë, në vend të menaxhimit të pandemisë e vaksinimit të popullsisë, në vend të stabilitetit politik kaq të domosdoshëm, pushteti po kërkon rrugën më të rëndë të vendit”.

Pas mbajtjes së seancës së parë plenare në Parlamentin e Kosovës me përbërjen e re, menjëherë i thirr një mbledhje e kryesisë së Kuvendit ku u tha se do të mbahet seancë e jashtëzakonshme për Ligjin për Zgjedhje dhe më pas, pak më vonë, edhe seanca e radhës për zgjedhjen e presidentes.

Nisma u kundërshtua ashpër nga partitë opozitare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore