Lajme

LDK: Qeveria Kurti po i ringjallë strukturat paralele në veri


Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj gurë-themelit të “Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut”.

“Përpos këtij veprimi degradues, e që përforcon më tutje strukturat paralele në veriun e vendit, edhe më skandaloze është deklarata e zyrtarëve të Qeverisë, përkatësisht e zëvendësministrit të arsimit, Popovci, i cili mban qëndrim se “Universiteti i Mitrovicës së Veriut edhe me ligjet e Kosovës është ne administrimin e drejtpërdrejt të komunës së Mitrovicës së Veriut” dhe se rrjedhimisht ai universitet nuk është një strukturë paralele”, thuhet në komunikatën për media të kësaj partie.

Sipas LDK-së, “Zëvendësministri duket se harron se asnjë qeveri deri më tani nuk ka legjitimuar një universitet i cili, jo vetëm që kundërligjshëm mban emrin e universitetit publik të Prishtinës, por edhe vepron e funksionon tërësisht në bazë të ligjeve e planprogarmeve të Republikës së Serbisë”.

“Është Qeveria Kurti ajo e cila po i ringjallë e rigjallëron strukturat paralele dhe që dalëngadalë, por me hapa të sigurt, po i rikthen proceset prapa dhe po e ri-instalon Serbinë në Kosovë”.

LDK ka kritika për Kurtin, pasi sipas tyre po lejon që ministrat e tij dhe të Republikës së Kosovës pa dallim, të marrin pjesë në këto aktivitete “që de-legjitimojnë shtetin tonë”.

“Praktikantët janë strukur e janë shndërruar në spektatorë. Prandaj, ndërmarrja e hapave është e largët këtu. Kryeministri Kurti duhet t’i zëvendësojë deklaratat boshe në Bruksel, me veprime konkrete në territorin e shtetit të tij. Ai duhet menjëherë, e pa vonesë, ta shkarkojë ministrin nga radhët e minoriteteve dhe me çdo kusht të parandalojë ngritjen e universitetit paralel në veri”.

Edhe Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook ka thënë se ndërtimi i Universitetit paralel serb në veri të Mitrovicës “po bëhet në pajtim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”.

“Ai ishte në dijeni për ndërtimin e këtij Universiteti serb qysh në fillim të muajit korrik dhe këtë e ka konfirmuar në përgjigjen që ka dhënë në Kuvendin e Kosovës saktësisht me shtatë korrik kur unë e pyeta për ndërtimin e këtij universiteti se a është në dijeni për ndërtimin e një objekti të tillë”, është shprehur deputetja.

Ndërkaq, Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka hedhur gurthemelin për ndërtimin e këtij Universiteti në Mitrovicën Veriore, investimi i të cilës është në mbi 6 milionë euro.

“Ky është gurthemel i harmonisë unitetit të popullit tonë në Kosovë, dhe për këtë sot ne jemi të bashkuar siç ishim dhe do të jemi: edhe Lista Serbe ashtu edhe Universiteti ynë dhe shteti i Serbisë. Populli ynë ka të ardhme vetëm përmes këtij uniteti, siç e ka thënë edhe presidenti Vuçiç”, ishte shprehur Petkoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore