Kosova

Latifi dhe homologu turk pajtohen për formimin e një grupi punues në shëndetësi


Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi me homologu e tij turk, Fahrettin Koca.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi është pritur në Ankara nga homologu i tij turk, Fahrettin Koca, me të cilin diskutoi për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në sektorin e shëndetësisë.

Këtë e ka bërë të ditur ministria e Shëndetësisë përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Ministri Latifi, gjatë diskutimeve me ministrin Koca, e informoi atë për shtatë shtyllat e transformimit të shëndetësisë së Kosovës, duke shprehur optimizmin për ndryshim rrënjësor të sistemit me prioritet gjithmonë pacientin”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në këtë takim është marrë vendim për formimin e një grupi punues mes dy shteteve.

“Të dy ministrat, në këtë takim u pajtuan për formimin e një grupi punues, me ekspertë nga Kosova dhe Turqia, të cilët do të bashkëpunojnë ngushtë për konkretizimin dhe jetësimin e bashkëpunimit në projekte të ndryshme shëndetësore”.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi me homologu e tij turk, Fahrettin Koca

Fokusim në këtë takim ishte çështja e shkëmbimit ndërmjet dy shteteve në digjitalizimin e shërbimeve shëndetësore, në fuqizimin dhe avancimin e kapaciteteve njerëzore të specializuara si dhe përmirësimin e infrastrukturës dhe modernizimin e spitaleve të Kosovës.

“Sa u përket shtatë shtyllave të cilat ministri Latifi i përmendi në këtë takim, ministri Koca, shprehu mbështetjen e tij të pa rezervë aty ku është nevoja që shteti turk mundë të ndihmojë”.

Ndër të tjera, ministri turk shumë shpejtë paralajmëroi se do të realizojë një vizitë në Kosovë.

“Ai tha se më shumë kënaqësi e pranon ftesën e Ministrit Latifi për ta vizituar Kosovën dhe premtoi se shumë shpejtë do ta realizojë një vizitë të tillë”.

Ndryshe, më 23 mars, ministri i Shëndetësisë vizitoi spitalin shtetëror të Ankarasë.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në spitalin e Ankarasë.

Ai u njoh nga nikoqirët e këtij spitali me menaxhimin, punën, angazhimet dhe për kujdesin e lartë shëndetësor që ofrohet për pacientët të kërkojnë shërbime në këtë spital.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore