Lajme

Lajçak vjen në Prishtinë


Miroslav Lajçak, Emisar i Bashkimit Evropian, për dialogun Kosovë- Serbi

Të enjten e 25 nëntorit, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të qëndrojë në Prishtinë.

Lajçak në Kosovë vjen pasi paraprakisht ka qëndruar në Beograd të Serbisë, ku është takuar me presidentin Aleksandër Vuçiç.

Vizitën dhe qëndrimin e tij në Kosovë e ka konfirmuar të mërkurën Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili ka theksuar se sllovaku do të zhvillojë një disa takimesh.

Në një intervistë për medie, Peter Stano, ka deklaruar se i dërguari i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi fillimisht e kishte takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin në Vjenë, dhe të mërkurën kishte realizuar një vizitë në Beograd, për të biseduar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, për ta dërguar dhe përforcuar mesazhin dhe pritjet e 27 vendeve anëtare të BE-së që duan të shohin progres.

“Po ashtu, ai do ta vazhdojë rrugën për në Prishtinë për të bërë më shumë bisedime për këtë çështje, në mënyrë që ta dërgojë këtë mesazh para punës së përgatitur të takimit të nivelit të lartë, që shpresojmë se do të mbahet këtë vit”, kishte deklaruar Stano.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, Miroslav Laçjak dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Lajcak në Beograd

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, Miroslav Laçjak, ka deklaruar se pati një takim të gjatë dhe të detajuar me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ka shkruar se ka ende shumë punë për të kryer pas takimeve të kësaj jave.

“Në vazhdim të diskutimeve të mia për rrugën përpara në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, pata një bisedë të gjatë dhe të detajuar me Presidentin e Serbisë. Ke ende shumë punë për të bërë pas takimeve të mia këtë javë”, ka shkruar ai.

Ndërsa, javën e kaluar, në Bruksel përfunduan bisedimet midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me zyrtarët evropianë, por pa takim trepalësh mes tyre.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, pas takimit të fundit me përfaqësuesin e BE-së në bisedime, Mirosllav Lajçak, kishte bërë të ditur se janë zhvilluar disa takime dypalëshe me zyrtarët evropianë dhe se tema të diskutimit kanë qenë, energjetika, të zhdukurit e luftës dhe përfaqësimi në nismat rajonale.

Ai kishte hedhur poshtë akuzat e Serbisë se pala kosovare është fajtore për mungesën e takimit trepalësh.

Sipas tij ekziston një “marrëveshje parimore”, në bazë të së cilës, në takimet e përbashkëta diskutohen vetëm temat për të cilat bien dakord të dyja palët.

Bislimi kishte potencuar se pala kosovare nuk dëshiron të diskutojë tani për çështje që kanë të bëjnë me komunitetet pakicë, sepse ato, sipas tij, duhet të jenë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

Një ditë më herët, shefi i delegacionit të Serbisë, Petkoviç, kishte deklaruar se ka insistuar që të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, para se të diskutohet për ndonjë temë tjetër.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore