Lajme

Lajçak s’ua var fare kushteve të Kurtit – Pacta Sunt Servanda, përsëriti


Miroslav Lajcak

Në pyetjen se a diskutuat për gjashtë kushtet e Albin Kurtit për ta themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Miroslav Lajçak ka përsëritur frazën latine që tash e sa kohë e cicëron.

Pacta sunt servanda” deklaroi ai duke treguar kështu që gjashtë kushtet e kryeministrit s’kanë lëvizur asgjë në qëndrimin e Bashkimit Evropian.

“Diskutuam për këtë çështje dhe informuam kryeministrin tuaj për pozicionin tonë”, deklaroi fillimisht, për të shtuar më tej se “duhet të përsëris sërish: pacta sun servanta, pra gjithçka që është pajtuar në dialog duhet të zbatohet”.

Kureshtja e gazetarëve bëri që pyetja të përsëritet dhe po përsëri përgjigja ishte e njëjtë.

“Sapo u përgjigja pra, gjithçka që jemi pajtuar duhet të zbatohet”, përfundoi Lajçak.

Sa për vizitën e kësaj të hënë në Kosovë, tha se është “vazhdimësi e aktivitetit tim diplomatik në përpjekjet për të arritur progres për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, bazuar në propozimin evropian”.

Siç la të nënkuptohet, BE po bën përgatitjet për një takim të nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

“Kjo është në fakt vizita e 10 që nga shtatori, natyrisht diskutuam propozimin dhe përgatitjet për një takim konstruktiv të nivelit të lartë në mes të Kurtit dhe Vuçiç-it. Misioni im vazhdon me një takim sonte në Beograd me Vuçiç-in”, tha Lajçak.

Sa për takimin me Kurtin, zëvendësin e tij Besnik Bislimin dhe ambasadorin amerikan,  Jeff Hovenier, pohoi se temë qendrore ishte “diskutimi për propozimin tonë dhe ato që janë në agjendë”.

Ai deklaroi që po sigurohet se “po lëvizim përpara dhe kur të takohen liderët takimi të jetë konstruktiv”.

6 kushtet e Kurtit

Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës. Duhet të jetë monoetnik. Duhet të jetë reciprok edhe për shqiptarët në Serbi. Duhet të fillojë punë pas njohjes reciproke. Duhet të fillojë pas shuarjes së strukturave ilegale në veri dhe vetëm pasi Vuçiç të tërheqë letrat kundër Kosovës që ua ka dërguar shteteve mos-njohëse në Bashkimin Evropian dhe jo vetëm.

Këto përbëjnë gjashtë kushtet e Kurtit të prezantuara befasisht në seancën e fundit parlamentare në Bruksel.

Nga analistët në Kosovë u pa si hap pozitiv dhe lëvizje nga pozicioni i ngurtë ku nga diskutimi se a duhet të themelohet u kalua në diskutimin se kur dhe si duhet të themelohet Asociacioni.

Por, BE siç u pa nga komentet e Lajçak, nuk e ka përjetuar këtë prezantim kushtesh si prodhim i një situate të re.

Lajçak vazhdon të thotë se qëndrimi i komunitetit perëndimor është që themelimi i Asociacionit duhet të fillojë patjetër.

Gjashtë kushtet e Kurtit janë zero kushte për themelimin e Asociacionit – një dekonstruktim i thjeshtë

Ndryshe Kurtit gjatë së hënës i shkuan në zyrë ambasadorët dhe diplomatët e akredituar të misioneve diplomatike në Kosovë, derisa temë e diskutimit ishte procesi i dialogut, propozimi evropian dhe rruga përpara.

“Kryeministri Kurti i njoftoi ata me qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës përfshirë këtu edhe gjashtë pikat e prezantuara në Seancën e Kuvendit javën e kaluar në lidhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013”, thuhet në një njoftim për media nga Qeveria.

Sipas njoftimit, Kurti po ashtu shprehu gatishmërinë e tij për takime të radhës në Bruksel të nivelit të lartë politik dhe intensifikim të procesit të dialogut për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore